Maqedoni

Bakllavaja “Angela Merkel”, atraksioni i ri i Çarshisë së Vjetër

23.09.2015 18:31

Në Çarshinë e Vjetër në Shkup mund të gjesh vërtetë gjithçka. Madje, edhe bakllava “Angela Merkel”...

Ëmbëltorja “Stamboll” ofron bakllava me emrin e gruas më të fuqishme të Evropës.
 
Pronarja e ëmbëltores, Dostana Mustavçe, thotë se ideja për emrin e pazakontë i erdhi duke lexuar shtypin ditor.
 
Merkel është politikania që Dostana e adhuron, madje ato kanë edhe një hobi të përbashkët, gatimin
“Kur jetoja në Stamboll, në një revistë turke lexova se asaj i pëlqen shumë kuzhina. Dëshiron dhe di të përgatisë ushqime të ndryshme, ndihmon në pastrimin e shtëpisë, megjithëse ka njerëz të tjerë për këto punë. Sipas meje, modestia e saj është madhështia e personalitetit të saj, prandaj edhe është e çmuar”- deklaroi pronarja e ëmbëltores, Dostana Mustavçe.
 
Bakllava të njëjtë ndoshta mund të gjesh edhe në dyqanet e tjera të Çarshisë, por emri i pazakontë bën që në ëmbëltoren e saj të shtohen myshterinjtë. Turistët sidomos habiten me emrin e pazakontë të ëmbëlsirës, që e gjithë bota e njeh thjesht si bakllava.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI