Maqedoni
Marrëveshja e Përzhinës, hapet çështja e mediave
23.09.2015 18:37
Mediat dhe pavarësia e tyre ishin sot çështje debati në Grupin e punës...

Mediat dhe pavarësia e tyre ishin sot çështje debati në Grupin e punës, ku përveç përfaqësuesve të partive politike ishin të ftuar edhe përfaqësues të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe Agjencisë Maqedonase të Mediave.
Grupi punues fillimisht ka dëgjuar prezantimin e Riçard Bejlit për funksionimin e Televizionit Publik britanik, ndërkaq me propozime janë paraqitur edhe ShGM-ja dhe AMM-ja.
“Intervenimi i parë që ne propozuam është që të ndërpritet praktika e dhunimit të gazetarëve, të sulmeve kundër gazetarëve dhe ata që sulmojnë të mos mbajnë kurrfarë përgjegjësie, as politike as penale. Mendojmë se policia, prokuroria dhe gjykatat në një afat sa më të shkurtër duhet të punojnë seriozisht në ndriçim e të gjitha rasteve të dhunës ndaj gazetarëve dhe t’i dënojnë sulmuesit”- u shpreh Naser Selmani nga ShGM.
Përderisa ShGM kërkon që të ndërpritet presioni, dhuna dhe praktika e padive për shpifje dhe ofendim ndaj gazetarëve, AMM-ja kërkon rritjen e gjobave për shpifje dhe ofendim.
“U përqendruam në rritjen e profesionalizmit, rritjen e gjobave për shkeljet e ligjeve, uljen e numrit të operatorëve radio-difuziv dhe rritjen e cilësisë, rregullimin e portaleve të internetit me ligjet e mediave në vend, rritjen e gjobave për shpifje dhe ofendim, si dhe reforma në RTVM për mundësimin e financimit stabil dhe rritjen e cilësisë, respektivisht për raportim të balancuar”- tha Ivona Talevska nga AMM.
Pavarësimi i mediave duhet të ndodhë sa më shpejtë, në të kundërtën nuk mund të kemi zgjedhje korrekte dhe demokratike, thotë Robert Popovski nga LSDM.
Ai akuzoi VMRO-DPMNE-në se nuk u qaset seriozisht bisedimeve. Por, pavarësisht kësaj, është optimist që deri më 15 tetor çështja e mediave të mbyllet.
SHPËTIM NUREDINI
