Maqedoni

Kuvend, seanca kushtuar pyetjeve të deputetëve

23.09.2015 18:49

Kriminalizimi i shoqërisë dhe institucioneve të vendit ndodh si pasojë e mungesës së legjitimitetit që buron nga vota e qytetarit...

Kriminalizimi i shoqërisë dhe institucioneve të vendit ndodh si pasojë e mungesës së legjitimitetit që buron nga vota e qytetarit, tha deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi, duke kërkuar kështu llogari nga përfaqësuesit e qeverisë se çfarë po ndërmarrin për të ndëshkuar thyesit e ligjit gjatë të gjitha cikleve zgjedhore.
 
“Për çdo cikël zgjedhor kemi vjedhje masive, falsifikim votash, falsifikim procesverbalesh, kërcënim. Çfarë keni ndërmarrë ju si institucion që t’i mbyllni, që t’i kapni, sepse dihet nga kodi zgjedhor, ata që falsifikojnë se çfarë i pret, se çfarë duhet të ndërmerret prej institucioneve shtetërore, ndaj falsifikatorëve. Nuk kemi dëgjuar se është bërë ndonjë hetim”- deklaroi Orhan Ibraimi nga PDSh.
 
Në përgjigjën e tij ministri i Brendshëm, Mitko Çavkov, tha se MPB i ka ndërmarrë masat e nevojshme për zbardhjen e çdo rasti për të cilin është dyshuar se ka keqpërdorime.
 
“Ministria e Brendshme ka qenë e involvuar në të gjitha procedurat lidhur me zbardhjen e të gjitha indikacioneve për të cilat është dyshuar se cilat kanë keqpërdorime. Hulumtimet e MPB-së i janë dorëzuar Prokurorisë Publike dhe me këtë është rrumbullakosur puna e MPB-së”- tha ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.
 
Në seancën kuvendore kushtuar pyetjeve të deputetëve, Petre  Shilegov nga LSDM e pyeti kryeministrin, Nikolla Gruevski, se pse nuk kërkoi që publikisht të nxirret emri i pronarit të vërtetë të “Sirah inzhinering”, të cilit, sipas Shilegov, ai ia ka shitur parcelat në Vodno dhe tashmë mohon se ka lidhje me to.
 
Por, kryeministri, Nikolla Gruevski, mohoi se ka lidhje me parcelat në Vodno, duke shtuar se as që ka qenë pronar i parcelave të tilla dhe as që është tani. 
 
NAIM RAMADANI