Maqedoni
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tetovë, “3 dritare dhe një varje”, filmi që thyen tabutë
23.09.2015 19:05
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tetovë filloi mbrëmë në sallën e Pallatit të Kulturës, me filmin e një emri të madh të kinemasë shqiptare, atë të Isa Qoses...

“Tre dritare dhe një varje” titullohet filmi me skenar të Zymber Kelmendit dhe regji të Isa Qoses, në role kryesore interpretuan: Irena Kahani, Luan Jahja dhe Donat Qosja. Ashtu siç kuptohet nga titulli tragjik i filmit, tema është nxjerrë nga pasojat e rënda që la lufta në Kosovë.
Dhunimi i grave ka qenë shpesh temë tabu në Kosovë, por në filmin “Tre dritare dhe një varje” kjo temë na vjen ndryshe, na vjen edhe më e rëndë, sepse tenton të thyej tabutë.
Një grua e dhunuar, mësuesja e fshatit tregon para një gazetareje të huaj se si është dhunuar nga ushtarët gjatë luftës dhe se me të janë dhunuar edhe tre gra të tjera.
Kjo gjë trondit burrat dhe ironia qëndron në faktin se ata e dinë që disa gra janë dhunuar në fshatin e tyre, por kjo gjë kurrsesi nuk duhet të merret vesh, duhet të fshihet në çdo mënyrë.
Dhe mësuesja që thyen këtë tabu diskriminohet, përbuzet dhe gati përzihet nga fshati.
Këtë subjekt autorët e filmit e sjellin me një vërtetësi tronditëse dhe një kuadër filmik përtej të bukurës. Stili i qetë në pamje, por me një ritëm të brendshëm i Isa Qoses të kujton filmat e Akiro Kurosaves.
Publiku i shumtë tetovar e ndoqi me vëmendje dhe emocion të madh filmin “Tre dritare dhe një varje”.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tetovë vazhdon me shfaqen e filmave të metrazhit të shkurtër dhe dokumentarit, prodhime të shtëpive filmike nga Irani, Kosova, Koreja, Bullgaria, Franca etj.
Edhe pse nuk ka një kinema, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tetovë mbahet me sukses për të katërtin vit me radhë.
MERITA ÇOÇOLI-SALI
