Maqedoni

Festohet Kurban Bajrami, manifestimi qendror në Xhaminë e Bedrit në Shkup

24.09.2015 13:07

Besimtarët e besimit islam sot festojnë festën e Kurban Bajramit, festa e dytë më e madhe myslimane pas Fitër Bajramit...

Manifestimi qendror në Maqedoni u mbajt në Xhaminë e Bedrit në Shkup.
 
Me mesazhe për harmoni dhe paqe, besimtarët në Maqedoni falën namazin e Bajramit për të vazhduar më pas festën në shtëpitë me të afërmit dhe miqtë.
 
Me namazin e mëngjesit, e pastaj edhe me namazin e Bajramit filloi festimi treditor, në të cilin respektin ndaj Allahut myslimanët e shprehin me therje të kurbanit.
 
Me këtë festë kurorëzohet Haxhi, që është kushti i pestë i islamit, i cili është dëshmi për solidaritet dhe mirëqenie.
 
Porosia e parë e këtij Bajrami për të gjithë besimtarët myslimanë është kërkimi i diturisë dhe shfrytëzimi i mendjes nga ana e tyre.
 
Porosia e dytë e Kurban Bajramit është Haxhi. Miliona njerëz nga vendet më të ndryshme të botës dhe me mund e sakrifica të mëdha nisen në udhëtimin më të gjatë dhe më të dashur, udhëtimi i cili shpie në takim me Zotin, historinë dhe njeriun.
 
Ndërsa porosia e tretë është kurbani– sakrifica për të tjerët.
 
Sakrifikimi në këto ditë të shenjta të Kurban Bajramit shprehet përmes therjes së kafshëve të caktuara, të cilat emërohen “kurban” ose sakrificë.