Botë

Kosovë, festohet Kurban Bajrami

24.09.2015 13:30

Myslimanët në Kosovë po e festojnë Kurban Bajramin me mesazhe për paqe e solidaritet...

 Falja kryesore e namazit të Bajramit është bërë në xhaminë e madhe në Prishtinë, ndërsa, si rëndom, xhamia “Sulltan Mehmet- Fatih” ishte shumë e vogël për t’i nxënë gjithë ata besimtarë që kishin shkuar për ta falur namazin, prandaj dy të tretat e besimtarëve janë falur në rrugë dhe në oborr të xhamisë. 
 
Myftiu i Kosovës, Naim Ternava, në hudben e mbajtur ka porositur të gjithë besimtarët për paqe dhe solidaritet mes njerëzve, sidomos në ditët e festave.
 
Ai tha se festa është e solidaritetit edhe me të varfrit, që, sipas tij, në Kosovë nuk janë të pakët.
 
Myftiu i Kosovës, me tutje ka shtuar se vet ky Bajram mban edhe emrin Kurban Bajrami, apo ndryshe festë e sakrificës, flijimit, festë që qëndron fuqishëm mbi parimet e unitetit, bujarisë, harmonisë, flijimit dhe sakrificës, duke ngritur vlerat e islamit në nivelin më të lartë. 
 
Feston edhe Lugina e Preshevës. Xhamitë e vendbanimeve të ndryshme të komunave Bujanoc, Preshevë, Medvegjë ishin të mbushura plot këtë mëngjes me besimtarë që falën namazin e Kurban Bajramit.