Maqedoni
Xhamia Bedër në Butel, BFI organizoi faljen e namazit të Bajramit
24.09.2015 15:38
Mijëra besimtarë u tubuan në xhamitë e vendit për të falur namazin e Kurban Bajramit...

Manifestimi qendror i faljes së namazit të Bajramit nën organizimin e BFI-së sot u mbajt në xhaminë Bedër të Butelit.
Krahas qytetarëve të shumtë, në ceremoni ishin të pranishëm edhe ambasadori turk në Maqedoni, Ömür Şölendil, atasheu i Çështjeve Fetare të Republikës së Turqisë në Maqedoni, Sejfettin Ersoy, si dhe ambasadori i Iranit në Maqedoni, Saied Sadegh Mohammad.
Kjo festë karakterizohet nga gatishmëria e besimtarit, që vetëm për All-llahun të sakrifikojë vlerat e tij materiale dhe shpirtërore, u tha në mesazhin e kryetarit të BFI-së, Sulejman Rexhepit, të lexuar nga nxënësi, Ajdën Jahja.
“Kurani i shenjtë na mëson se tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i kurbanit, por na e ka vënë nën shërbim kurbanin me qëllim që të madhërojmë krijuesin tonë për udhëzimet e tij, që të jemi në rrugën e drejtë, të jemi të mëshirshëm, të dashur, bujarë dhe me shpirt human, të drejtë dhe paqedashës. Besimtarë të dashur, përmes sakrificës do bëni që festën e Kurban Bajramit ta gëzojnë edhe jetimët, skamnorët dhe njerëzit në nevojë”- deklaroi nxënësi i Medresesë “Isa Beu”, Ajdën Jahja.
Kjo festë, si një ndër më të rëndësishmet në kalendarin mysliman, shënohet me sakrifikimin e kafshëve në emër të Zotit.
Me këtë festë kurorëzohet Haxhi, që është kushti i pestë i islamit, i cili është dëshmi për solidaritet dhe mirëqenie.
Mishi i kurbanit sipas rregullave islame duhet të ndahet në tri pjesë, për të varfrit, për të afërmit dhe fqinjët dhe pjesa e fundit për familjen.
Në këtë ditë, tradicionale janë dreka e Bajramit dhe vizitat tek të afërmit dhe miqtë.
FLUTURA LATIFI
