Botë
Falja e namazit të Bajramit në sheshin e Tiranës, apele për solidaritet dhe tolerancë
24.09.2015 16:10
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, mijëra besimtarë myslimanë kanë mbushur bulevardin Dëshmorët e Kombit në Shqipëri për të kryer ritin e faljes së namazit të Bajramit...

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka kujtuar domethënien e kësaj feste, mirësinë, harmoninë dhe faljen që duhet të ekzistojë ndaj njëri-tjetrit.
“Sa njerëz ka sot që janë të zhytur në varfëri të thellë e për shkak të mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit nuk kërkojnë lëmoshë, ne ndoshta i harrojmë, mirëpo të tillë kemi plot afër nesh dhe kudo anekënd botës, kjo harresë nuk na bën ne të lumtur, nuk e bën shoqërinë më të mirë. Nëse ne nuk i afrojmë ata dhe nuk afrohemi me ta dhe nuk ia zgjatim dorën e ndihmës atyre, prandaj le ta tregojmë veten të vetëdijshëm gjatë festave tona dhe ndjejmë atë që ndjejnë nevojtarët, le t’i forcojmë dhe le t’i mbajmë lidhjet vëllazërore fuqimisht jo vetëm gjatë ditëve të festave, por në çdo kohë”- tha nënkryetari i Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Bujar Spahiu.
Krerët më të lartë të shtetit shqiptar ishin sot të pranishëm në Selinë e Komunitetit Mysliman për të përcjellë urimet me rastin e Kurban Bajramit.
Edhe këtë vit, besimtarët myslimanë në Shqipëri janë falur në bulevard, në pritje për zgjidhjen e ngërçit për ndërtimin e xhamisë së madhe në kryeqytetin shqiptar.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
