Maqedoni

Kriza me refugjatët, BE ndan 17 milionë euro shtesë për Maqedoninë dhe Serbinë

24.09.2015 16:46

Maqedonia dhe Serbia do të përfitojnë 17 milionë euro shtesë në kuadër të Instrumentit për Ndihmë Parainkuadruese (IPA), pasi vendet janë prekur nga kriza me refugjatët...

Kolegji i Komisarëve të Komisionit Evropian ka miratuar pako të re për ndihmë të vendeve nga procesi i zgjerimit që janë prekur nga fluksi i refugjatëve dhe imigrantëve.
 
Eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, paralajmëroi se Bashkimi Evropian edhe më tutje do ta ndihmojë Maqedoninë dhe Serbinë, të cilat sipas tij janë viktima të situatës me refugjatët dhe imigrantët.
 
Paraprakisht, përmes Instrumentit për Ndihmë Parainkuadruese (IPA), BE-ja paralajmëroi se për Maqedoninë do të dorëzohen 24 milionë euro, ndërsa për Serbinë rreth 50 milionë euro, për t’u ballafaquar me krizën me refugjatë.
 
Në ndërkohë, MPB ka njoftuar se brenda 24 orëve ka lëshuar vërtetime për rreth 2100 shtetas të huaj, të cilët kanë deklaruar se do të aplikojnë për azil.
 
Një pjesë e konsiderueshme e refugjatëve janë fëmijë, përkatësisht 457, prej të cilëve 85 janë fëmijë që udhëtojnë pa prindër. Refugjatët kryesisht janë nga Siria, Afganistani dhe Iraku.
 
Siç informon MPB, nga 19 qershori deri më tani janë lëshuar rreth 95 mijë vërtetime për të huaj, të cilët kanë deklaruar se kanë për qëllim që të kërkojnë azil, por vetëm 50 refugjatë kanë kërkuar azil në Maqedoni. 
 
Edhe pse Maqedonia është vetëm korridor ku transitojnë refugjatët, ministri i Brendshëm, Mitko Çafkov, në takimin me presidentin Ivanov ka shprehur shqetësimin se MPB mund të përballet me sfida serioze nëse korridori ndërpritet në pjesën veriore, por edhe për shkak të zgjedhjeve të paralajmëruara për në prill.   
 
“Nëse korridori ndërpritet dhe mbyllen kufijtë, por edhe për shkak të motit, Maqedonia do të detyrohet të zbatojë plane me përgjigje të duhur për të mbrojtur sigurinë kombëtare”- ka thënë Çavkov, njofton kabineti i presidentit.      
  
Ndërkaq, refugjatët thonë se pa një qëndrim unik të BE-së dhe zgjidhjen e krizës në vendet nga ata vijnë, problemi me refugjatët do të transferohet nga një shtet në një shtet tjetër.
 
Kriza me refugjatët mund të acarojë marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit, paralajmëron kryeministri slloven, Miro Cerar.
 
Ai kërkon nga BE angazhim më të madh që situata në kufirin kroato-serb të mos tendoset edhe më shumë.  
 
SHPËTIM NUREDINI