Maqedoni

Gjevgjeli, migrantët falën namazin e Bajramit

24.09.2015 17:02

Bashkësia Islame e Maqedonisë u përkujdes që edhe migrantët sirianë dhe nga vendet tjera të cilët i takojnë besimit islam, të falin namazin e Kurban Bajramit...

Me këtë rast kishte dërguar imamë për faljen e namazit të Bajramit në tendat e migrantëve në Gjevgjeli. 
 
Gjithmonë kur ka paqe është Bajram, thonë migrantët, duke shprehur keqardhje që këtë festë ishin të detyruar ta presin larg nga shtëpitë dhe të afërmit e tyre për shkak të luftës. 
 
“U detyruam të braktisim shtetin tonë dhe ndoshta në të ardhmen do të kremtojmë këtë festë bashkë me familjet tona në paqe. Gjithë myslimanëve u dëshiroj paqe. Kur ka paqe gjithmonë është Bajram”- tha një qytetar nga Siria.
 
Dëshira e vetme e migrantëve është paqja në Siri, të cilës iu bashkëngjit edhe imami që kreu namazin e Bajramit.
 
“U lutëm që ky namaz të jetë i fundit në këtë vend dhe Bajramin e ardhshëm namazin ta falin në vendin e tyre, me familjet e tyre”- theksoi imami.
 
Ndërsa organizatat humanitare ishin përkujdesur për t’i dhënë kuptim festës, e sidomos t’i gëzonin fëmijët migrantë me ëmbëlsira, që edhe ata sadopak të ndjenin atmosferën e Bajramit.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI