Futboll

Interi me pesë yje përballë Veronës

24.09.2015 17:41

Interi siguron shkëputjen e parë në Serie A. Skuadra e Mancinit u mjaftua dhe njëherë me vetëm një gol për të marrë fitoren e pestë...

Interi siguron shkëputjen e parë në Serie A. Skuadra e Mancinit u mjaftua dhe njëherë me vetëm një gol për të marrë fitoren e pestë radhazi në kampionat për t’u shkëputur 3 pikë në renditje nga Fiorentina e vendit të dytë.
 
Një finalizim i Felipe Melos në pjesën e dytë i dha suksesin ekipit milanez, me brazilianin që i shpërbleu besimin trajnerit italian, që e kërkoi me ngulm në këtë merkato vere.
 
Interi në fakt zhvilloi një ndeshje pragmatiste në kulm ku arriti të finalizojë në ato pak raste që krijoi, ndërsa Verona goditi dhe njëherë shtyllën në pjesën e dytë.
 
Një sukses i rëndësishëm për ekipin e Mancinit, që të paktën në këto javë të para duket sikur është favoriti numër 1 për titullin.
 
Juventus shkaktoi surprizën ë madhe në Serie A, pasi barazoi 1-1 në shtëpi me Frosinonen, që pikën e parë në kampionat e mori pikërisht në shtëpinë e kampionëve.
 
Bardhezinjtë u menduan se në letër do të kishin një ndeshje të lehtë, por Frosinone në Torino luajti si në një finale dhe pavarësisht se kaloi në disavantazh pas golit të blerjes së verës, Zaza, u arrit të barazojë atëherë kur pak kush e priste në minutën e fundit me Blanchard, që shtangu bardhezinjtë.
 
Roma gjithashtu regjistroi një tjetër rezultat negativ pasi u mund 2-1 nga Sampdoria në transfertë, ku i dhuroi vetë 3 pikët për shkak të një autogoli të Manolasit në minutat e fundit.
 
Ndërkohë më parë kishin shënuar Eder për vendasit dhe Salah për verdhekuqtë e Garcias.