Ekonomi
Miratohet projekt-buxheti për 2016-ën, rriten pensionet dhe ndihma sociale
24.09.2015 18:03
Qeveria miratoi propozim-buxhetin për vitin 2016 në vlerë prej tre miliardë euro...

Midis tjerash, parashikohet rritje të pensioneve dhe ndihmave sociale për 5% dhe rritje të mjeteve për investime kapitale.
Risitë i bëri të ditura ministri i Financave, Zoran Stavreski.
“Karakteristikat themelore të buxhetit për 2016-ën janë ulja e deficitit buxhetor nga 3.6% këtë vit, në 3.2% vitin e ardhshëm. E dyta është rritja e fondeve për pensione, ndihmë sociale dhe investime kapitale. Pensionet dhe ndihmat sociale do të rriten për 5%, ndërsa do të ketë një rritje evidente të investimeve kapitale me qëllim që të iniciohet komponenta zhvillimore e buxhetit”- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavreski.
Sipas Stavreskit, vitin që vjen parashikohet rritje ekonomike për 4% dhe inflacion prej 2%. Stavreski thotë se parashikimet e tilla mund të jenë reale edhe në rast të paraqitjes së krizave të mundshme ekonomike.
“Politikat bazë janë mirë të vendosura për të përballuar rreziqet eventuale. Andaj, nuk ka asnjë arsye që mos të besojmë se rritja prej 4% vitin që vjen nuk mund të jetë realitet. Ne do të vazhdojmë me politikat mbështetëse për një rritje të tillë, duke angazhuar ndërmarrjet e ndërtimtarisë, industrisë dhe eksportin”- tha ministri i Financave, Zoran Stavreski.
Për rrogat e administratës janë planifikuar 420 milion euro. Për mallra dhe shërbime do të ndahen 320 milion euro.
Sipas Stavreskit, buxheti i tillë do të mundësojë vendin që të përmbyllë 2016-ën me borxhe mesatare dhe të ruhet stabiliteti makroekonomik.
MERAL ISMAILI
