Maqedoni
BFI, pritje me bakllava për Kurban Bajram
24.09.2015 18:18
Me bakllava tradicionale, me urime të përzemërta dhe me një solemnitet të përbashkët, BFI i priti mysafirët që kishin ardhur me rastin e Kurban Bajramit...

Shumë politikanë, përfaqësues të bashkësive tjera fetare, të pushtetit lokal, korit diplomatik, biznesmenë dhe përfaqësues nga sektori civil morën pjesë në këtë ceremoni tradicionale.
Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, përcolli urimet e tij për festën e Kurban Bajramit, duke rikujtuar sakrificën dhe nevojën për kultivimin e dashurisë ndaj njëri-tjetrit, tolerancën dhe bashkëjetesën.
“Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, konkretisht është fjala për kurbanet, por tek ai arrin devotshmëria juaj. Pra, sakrificë do të thotë dashuri, përkushtim ndaj krijuesit tonë, duke kultivuar dhe shprehur dashurinë dhe përkushtimin tonë. Pra, edhe kurbani si ritual, si akt fetar është produkt i një premtimi të sinqertë, e një dashurie të madhe, të shprehur ndaj Zotit të gjithëmëshirshëm. Dashuria dhe devotshmëria janë ato të cilat i kërkon krijuesi ynë nga ne, sepse vetëm me dashuri e devotshmëri ne përmbushim misionin tonë në këtë botë dhe jetë. Dhe misioni ynë është të kultivojmë bashkëjetesë, mirëqenie, paqe, tolerancë, të jemi të mbrojtjes, të përkushtuar, të asaj harmonie të madhe”- deklaroi kryetari i BFI-së, Reis Ulemaja H. Sulejman ef. Rexhepi.
Kreu i BFI-së gjithashtu i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar për sensibilizim, mobilizim dhe sakrificë sa më të madhe, për t’i u dalë në ndihmë refugjatëve në nevojë, duke siguruar kështu mirëqenie dhe qetësi shpirtërore njerëzve të cilët braktisin vendlindjet e tyre.
Në këtë solemnit nuk kishte përfaqësues nga kabineti i presidentit dhe kryeministrit.
REXHEP QAMILI
