Botë

Carter: ShBA dhe Rusia të bashkëpunojnë lidhur me Sirinë

25.09.2015 12:02

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, tha mbrëmë se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara...

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, tha mbrëmë se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se Rusia mund t’i sulmojë kryengritësit e moderuar në Siri, që luftojnë kundër presidentit, Bashar al-Assad, në mënyrë të pakontrolluar.

Carter theksoi se nëse Rusia është atje për të luftuar kundër militantëve të “Shtetit Islamik” dhe për ta kërkuar një zgjidhje politike për krizën në Siri, atëherë nuk do të duhej t’i sulmonte në mënyrë të “pakontrolluar” armiqtë e Assadit.

Në këtë rast, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të mund të “gjenin fusha të bashkëpunimit”.

“Por, hedhja e vajit në zjarrin e luftës civile në Siri, gjithsesi nuk është produktive”- tha Ashton Carter.

Këto komente ai i bëri në Pengaton gjatë një konference për shtyp, së bashku me ministrin e Mbrojtjes së Ukrainës, Stepan Poltorak.

Sekretari Carter tha se megjithëqë Uashingtoni dhe Moska kanë dëshirë të njëjtë ta dëbojnë grupin militant, “Shteti Islamik”, nga Siria, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën dhe i dënojnë aksionet ushtarake ruse në këtë vend.