Maqedoni

Kremtim multietnik i Kurban Bajramit në Sllupçan

25.09.2015 15:35

Në kuadër të projektit “Shkolla të sigurta”, sot në lokalet e Sh. F. “Faik Konica” në Sllupçan...

Në kuadër të projektit “Shkolla të sigurta”, sot në lokalet e Sh. F. “Faik Konica” në Sllupçan, me rastin e festës së Kurban Bajramit u tubuan për të festuar bashkë nxënës të etnive të ndryshme nga disa shkolla të Likovës dhe Kumanovës, me ç’rast përpos një programi të pasur kulturo zbavitës, nxënësit patën rast të shijojnë edhe bakllavanë e Bajramit në tryezë të përbashkët. 
 
“Qëllimi i projektit “Shkollat e sigurta” është të mos ketë dhunë mes nxënësve jo vetëm nëpër shkollat e tyre, por në të gjitha shkollat. Të mos ketë mosdurim dhe urrejtje ndërnacionale, por përkundrazi, nxënësit të afrohen dhe të njihen me nxënës nga shkollat tjera, ta njohin kulturën, traditën dhe zakonet e tjetrit, që na bëjnë të ndryshëm, por edhe t’i shohin të gjitha nevojat, që bëjnë të jetojmë në paqe dhe siguri pa marrë parasysh ku jemi, ku jetojmë dhe ku mësojmë”- tha Violeta Bogdanovska. 
 
Ndryshe, projekti “Shkolla të sigurta”, i mbështetur nga MPB, komunat dhe OSBE zbatohet tash pesë vjet në rajonin e Kumanovës, duke dhënë mesazhe të qarta për mirëkuptim dhe tolerancë ndërfetare e ndëretnike tek gjeneratat e reja.
 
NEXHAT AQIFI