Maqedoni
Progres-raporti i KE-së, analistët: Do të ketë kritika dhe inkurajime
25.09.2015 15:52
Maqedonia në tetor mund të presë një raport të kombinuar me kritika si dhe inkurajime, vlerësojnë analistët politik, Ylber Sela dhe Mersim Maksuti...

Sipas Ylber Selës, kritikat do të prekin më shumë sfera në të cilat Maqedonia nuk ka arritur progres.
Edhe analisti Maksuti shprehet se lista e detyrave që duhet të realizojë Maqedonia mbetet e gjatë.
“Mesazhi që do të vijë nga raporti i Komisionit Evropian do të jetë i qartë: dekriminalizimi i politikës në Maqedoni. Element tjetër i rëndësishëm do të jetë për mediat e lira. Mandej, një tepricë e administratës shtetërore d.m.th. tejpolitizimi i tyre do të jetë po ashtu një pikë kritike, mandej mosrealizimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike, sidomos rasti i Kumanovë”- deklaroi analisti politik, Ylber Sela.
“Reformat tjera mbeten ende pa u zgjidhur, d.m.th. mbetet si prioritet për t’u përmirësuar Maqedonia, siç ka të bëjë me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave, gjithashtu ajo që ka të bëjë me kodin zgjedhor demokratik që duhet të zbatojë RM dhe të implementojë proces zgjedhor demokratik dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me shërbimet shtetërore për zbulim dhe kundërzbulim”- tha analisti politik, Mersim Maksuti.
Sa i takon inkurajimeve, Sela dhe Maksuti thonë se do të jenë në drejtim të zbatimit të marrëveshjes politike, përfshirë këtu kthimin e opozitës në kuvend, si dhe zgjedhjen e prokurorit special.
“Vetë inkurajimet shtyjnë që forcat politike në vend të kenë kurajo dhe të heqin dorë nga ato politika klanore dhe të shihet interesi shtetëror dhe interesi i komuniteteve të cilat jetojnë këtu në Maqedoni”- theksoi analisti politik, Ylber Sela.
“Me marrëveshjen e arritur për prokurorin special duket se është një nismë e mbarë në drejtim të përmbushjes dhe realizmit të reformave dhe detyrave të parapara tashmë si urgjente për Republikën e Maqedonisë”- u shpreh analisti politik, Mersim Maksuti.
Raporti i KE-së është vetëm rekomandues për të arriturat në Maqedoni. Vendimet përfundimtare për çelje eventuale të bisedimeve për anëtarësim i merr Këshilli Evropian, i cili do të mblidhet në fund të dhjetorit.
Analistët janë skeptik se Maqedonia nuk ka shans reale për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve.
MERAL ISMAILI
