Maqedoni

Janë punësuar 10 mijë të rinj përmes masës 1+1, është publikuar shpallje për 700 praktikantë

25.09.2015 17:07

Shtatëqind persona të rinj të papunë prej nesër munden të paraqiten në shpalljen për praktikë, për çka në kohëzgjatje prej tre muajve do të marrin kompensim nga shteti në vlerë prej 6.200 denarëve...

Ato më vonë mund të punësohen në kompanitë private me shfrytëzimin e ndonjë prej masave të cilat ofrohen përmes projektit "Maqedonia punëson" edhe pse për këtë nuk ekziston obligim te punëdhënësit të cilët pranojnë praktikantë, tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.  
 
“Bëhet fjalë për financim të praktikës për 700 persona të papunësuar në kompanitë private në Maqedoni, në vlerë prej 6.200 denarësh në muaj për person në periudhën prej tre muajve pa obligim për punëdhënësit që t'i mbajnë në punë"- tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
 
Ai sqaroi se edhe krahas asaj që nuk ekziston obligim për punëdhënësit t'i mbajnë në punë praktikantët, përqindja e suksesit të kësaj mase është 65 për qind, ndërsa deri tani në të kanë marrë pjesë 2.210 persona të papunësuar. Kjo është thirrja e dytë publike këtë vit, në thirrjen e parë kanë marrë pjesë 640 praktikantë.
 
Buxheti i tërësishëm për këtë vit është 18 milion e 696 mijë denarë. Ministri informon se kjo masë është sjellë më 13 mars të vitit 2014 dhe do të vlejë deri në datën e njëjtë të vitit 2016.
 
Deri tani, tha Spasov, përmes kësaj mase janë punësuar 9.944 të rinj që, ashtu siç potencon, është numri i madh dhe i rëndësishëm i punësimeve të arritura veçanërisht te personat e rinj deri në moshën 29 vjeçare. 
 
Drejtori i Agjencisë për Punësim, Vllatko Popovski, tha se edhe pse në këtë masë shteti nuk investon shumë mjete, ajo jep rezultate shumë të mira për punësimin e të rinjve. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI