Ekonomi

Bllokimi i kamionëve në kufirin Kroaci–Serbi, Stavrevski: Bllokimi i kufijve dëmton ekonominë

25.09.2015 17:33

Ministri i Financave, Zoran Stavrevski, ka deklaruar se mbyllja e kufijve ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë nuk është në favor të askujt, e aq më tepër për ekonominë e gjithë Ballkanit...

Duke folur për bllokimin e qindra kamionëve të Maqedonisë në këtë zonë, Stavrevski shpreh optimizëm se situata e krijuar do të tejkalohet shumë shpejt me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, i cili tashmë punon për gjetjen e një zgjidhjeje. 
 
“Kjo është situata aktuale e cila zgjat 1 ose 2 ditë. Duhet të shohim se si këto dy shtete do ta zgjidhin këtë  problem. Unë personalisht shpresoj se kjo gjë do të arrihet shumë shpejt, sepse po punohet në mënyrë diplomatike për t’u arritur një marrëveshje  e pranueshme për të dyja palët, sepse nuk është fare mirë kur mbyllen kufijtë. Shpresoj se Kroacia dhe Serbia me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar do të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët dhe do të hapen kufijtë”- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavrevski.
 
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u shpreh i bindur se kjo situatë do të tejkalohet në ditët në vijmë.
 
“Unë mendojë se kjo çështje do të zgjidhet në afat shumë të shkurtër. Po t’ju kisha treguar se kur do të tejkalohet ky problem, atëherë do të kuptohej sikur ne jemi fajtorë për këtë situatë të krijuar. Andaj, nuk di saktë t’ju tregoj se kur do të arrihet marrëveshja, por  besoj se në ditët e ardhshme ky problem do të tejkalohet”- tha kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
 
Qindra kamionë të Maqedonisë mbetën të bllokuar për disa ditë në kufirin serbo-kroat për shkak të bllokadës së vendkalimeve kufitare mes dy vendeve në fjalë, e që bllokimi është reciprok.
 
“Unë  jam duke pritur në korsi prej ditës së hënë. Askush asgjë nuk në ka treguar lidhur për këtë bllokim. Vetëm qëndrojmë dhe presim këtu”- tha një shofer kamioni. 
 
“Ne nuk e kemi për herë të parë që presim nëpër kufij, por tani nuk ka asnjë informacion dhe kjo gjë vështirëson gjithçka”- theksoi një shofer kamioni. 
 
Edhe Oda Ekonomike e Maqedonisë lidhur me këtë çështje dërgoi letër të hapur deri te kolegët e tij nga odat ekonomike të Serbisë dhe Kroacisë, përmes të cilave kërkon kyçje dhe angazhim në kuadër të kompetencave të tyre të për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejt të problemit.
 
REXHEP QAMILI