Botë

ShBA, Papa për emigrantet: Mos shikoni numrin, dëgjoni historitë e tyre

25.09.2015 17:39

Papa Françesku mbajti një fjalim historik në Kongresin e SHBA-ve, ku dha mesazhe të qarta për ligjvënësit amerikanë të dy dhomave të mbledhur si rrallë herë në një sallë...

Heqje të dënimit me vdekje, më shumë solidaritet me emigrantët, por edhe temat e tjera që shqetësojnë sot botën ishin në qendër të fjalimit të të Atit të Shenjtë.
 
Kreu i Vatikanit e nisi fjalën me një nga shprehjet më simbolike amerikane: “Jam mirënjohës që jam këtu në tokën e të lirëve dhe në atdheun e trimave”.
 
Ati i Shenjtë dha një mesazh për krizën e emigrantëve, duke e lidhur edhe me historinë e tij personale: “Të gjithë ne kemi qenë dikur të huaj diku. E them këtë si bir emigrantësh. Ne nuk duhet të trembemi nga numri i tyre, por t’i shohim si njerëz, duke vështruar fytyrat e tyre dhe duke dëgjuar historitë e tyre. Trajtoi të tjerët ashtu siç do doje të të trajtonin ata ty”.
 
Në fjalën e tij, Papa Françesku bëri thirrje që t’i jepet fund dënimit me vdekje në ShBA dhe në botë, ndërsa nënvizoi rëndësinë e një “ekuilibri delikat” në luftën kundër ekstremizmit fetar, duke u shprehur se asnjë fe “nuk është e imunizuar nga format e keqkuptimit individual ose nga ekstremizmi ideologjik”.
 
Bota, tha Papa, nuk duhet ndarë në dy kampe: e mira dhe e keqja. 
 
Është hera e parë që një Papë flet në një kongres amerikan dhe fjalimi ishte një ndër vetëm katër gjatë vizitës që ai do mbajë në anglisht, pasi të tjerët do i mbajë në gjuhën e tij spanjolle.
 
Pas fjalimit që u përshëndet me duartrokitje të gjata, Papa foli edhe para të gjithë admiruesve të mbledhur para Kapitolit, duke i përshëndetur dhe bekuar.
 
FLUTURA LATIFI