Maqedoni

Azilkërkuesit, vendimi i kancelares Merkel: Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova vende të sigurta

25.09.2015 17:45

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia janë klasifikuar zyrtarisht si vende të sigurta nga Gjermania...

Kjo do të thotë se shtetasit e këtyre vendeve nuk kanë të drejtë të kërkojnë azil dhe asnjë kërkesë e tyre nuk hyn në procedurë, duke u eliminuar apriori.
 
Vendimi u mor gjatë mbledhjes urgjente të Qeverisë gjermane, në të cilën u vendos edhe fondi i ndihmës prej 4.1 miliardë euro për të gjitha rajonet gjermane që po përballen me fluks të lartë të emigrantëve. 
 
“Numri i lartë i klandestinëve do të thotë se ne duhet t’i lehtësojmë vendet që i mirëpresin, t’i mbështesim dhe të përshpejtojmë procedurat”- deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel.
 
Kancelarja pranoi se negociatat për shpërndarjen e financave ishin të vështira, por edhe situatën e rëndë që po kalojnë vendët e Gjermanisë. 
 
Angela Merkel më herët në Bundestag deklaroi se Bashkimi Evropian ka nevojë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë dhe Lindjes së Mesme për të trajtuar shkaqet e krizës së madhe të klandestinëve. 
 
Samiti i jashtëzakonshëm gjerman u organizua nga kancelarja Merkel, me qëllim gjetjen e mënyrave për të ndihmuar rajonet që po strehojnë klandestinët që kanë hyrë në vend dhe 800 mijë të tjerët që pritet të vijnë gjatë këtij viti. 
 
Ndërkohë që fluksi i emigrantëve kryesisht nga Siria, Iraku dhe Afganistani drejt BE-së nuk ka të ndalur.
 
Hungaria nisi ndërtimin e një tjetër muri këtë herë në kufi me Slloveninë. 
 
Ndërkohë, 500 emigrantë po qëndrojnë në një varrezë të kishës ortodokse në zonën mes Serbisë dhe Kroacisë.
 
Kroacia akuzon Serbinë se po i drejton emigrantët drejt kufijve kroatë në vend të orientimit të tyre më në veri drejt Hungarisë.
 
NAIM RAMADANI