Maqedoni

Stavrevski: 21 miliardë denarë për rrugë

25.09.2015 17:48

Vitin e ardhshëm, 21 miliardë denarë do të ndahen për ndërtimin e rrugëve, si ndërtimin e tre autostradave Shkup-Shtip, Kërçovë-Ohër dhe Demir Kapi-Smokvicë...

Vitin e ardhshëm, 21 miliardë denarë do të ndahen për ndërtimin e rrugëve, si ndërtimin e tre autostradave Shkup-Shtip, Kërçovë-Ohër dhe Demir Kapi-Smokvicë, si dhe rrugë të shumta rajonale, në mesin e të cilave është edhe rruga prej Radovishit deri në Shtip dhe prej Shtipit drejt Koçanit, që do të fillojë të ndërtohet vitin e ardhshëm dhe do të mundësojë përmirësim të konkurrencës së ekonomisë së Maqedonisë.
 
Këtë e theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave, Zoran Stavreski. Ai theksoi se buxheti për vitin 2016 ka komponentë të fuqishme zhvillimore dhe nivelin më të lartë historik të investimeve kapitale në vlerë të përgjithshme prej 37,5 miliardë denarësh. 
 
“Konkretisht, për rajonin e Strumicës, pas ndërtimit të rrugës prej Strumicës deri në Radovish, si dhe rrugës së shpejtë nga Radovishi deri në Shtip, do të përmirësohet konkurrenca e ekonomisë. Me ndërtimin e autostradës prej Shtipit drejt Shkupit, prej Strumicës deri në Shkup udhëtarët do të mbërrijnë për më pak se një orë e gjysmë. Kjo do të mundësojë zhvillimin e rajonit të Maqedonisë Juglindore dhe përmirësimin e konkurrencës së kompanive. Krahas kësaj, ka edhe projekte të tjera infrastrukturore të cilat janë të rëndësisë, si fillimi i ndërtimit të Spitalit Klinik në Shtip, ndërtimi dhe rinovimi i shkollave, i objekteve sportive dhe i infrastrukturës komunale”- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavrevski.
 
Sipas tij, këto janë projekte të vendosura në buxhet dhe do t'i japin impuls zhvillimit ekonomik të Maqedonisë, gjegjësisht të arrijë rritjen e pritur prej 4 për qind.
 
FLUTURA LATIFI