Maqedoni
Festivali i Rrushit të Bojanës, promovohen vlerat e fshatit Bojanë
25.09.2015 17:54
Fshati Bojanë është i njohur për kultivimin e rrushit dhe për këtë qëllim sot për herë të parë në këtë fshat u organizua festivali i rrushit të Bojanës...

Qëllimi i këtij festivali ishte promovimi dhe afirmimi i rrushit të Bojanës, duke u bazuar në shijen kualitative dhe origjinale që ka ky rrush.
Kryetari i Komunës së Sarajit tha se ky organizim është mjaft me rëndësi për shkak se promovohen vlerat e fshatit Bojanë, si dhe premtoi se ky manifestim do të organizohet në mënyrë tradicionale.
“Ky kontribut të cilin këto banorë e kanë dhënë vite të tëra, dalëngadalë po vjen momenti dhe koha që ky rrush, i cili është prodhim autentik i këtij vendbanimi dhe prodhohet vetëm për tryezë, respektivisht vetëm për t’u konsumuar, ta njohin dhe të promovohet më larg Bojanës, më larg këtyre vendbanimeve”- deklaroi kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
Përfaqësuesit nga Ministria e Bujqësisë premtuan se do të vazhdojnë të përkrahin bujqit e Bojanës, ndërsa theksuan se kanë edhe një projekt të ri në lidhje me rrushin e këtij fshati.
“Kemi një projekt i cili ka të bëjë ndoshta edhe me rrushin e Bojanës, në pjesën e rrushit të thatë. Një projekt të cilin do ta vëmë në Ministri për paketim dhe prodhim të rrushit të thatë, ku bën pjesë rrushi i tryezës”- tha Jashari.
Festivali i rrushit u organizua nga Instituti ZIP, ndërsa është mbështetur nga Komuna e Sarajit.
Ky manifestim, përveç promovimit të rrushit nga bujqit e Bojanës, u shoqërua edhe me muzikë folklorike, valle popullore, si dhe me poezi të përgatitura nga fëmijë të shkollave fillore.
ERSAN PAJAZITI
