Andi Lila shënon, feston me shqiponjë dhe bie në sexhde
Mbrojtësi shqiptar, Andi Lila, ka shënuar golin e vetëm të Gianninas kundër Olympiacosit...

29-vjeçari pas golit nuk nguroi të festojë me shqiponjë në mes të Greqisë dhe në fund bëri edhe sexhde, duke iu falënderuar Zotit. Ky erdhi në fund të ndeshjes dhe ishte goli i vetëm i Ganninas.
Ndeshja përfundoi me rezultat 5-1 për vendasit. Olympiacosi pas pesë ndeshjes ka maksimumin e pikëve, kurse skuadra e Lilës gjendet në vendin pestë me shtatë pikë.
Në një mbrëmje ku rezultati në Pire nuk përbënte lajm, gazetat greke u përqendruan vetëm te mënyra e festimit të Lilës.
Nga “gazzetta.gr”, që theksonte te polemikat dhe kontestimet ndaj shqiponjës së formuar me duar nga mbrojtësi, e për të vazhduar edhe me mediat e tjera në vendin fqinj.
Ato theksonin se veprimi i Lilës shkaktoi zemërim mes tifozëve, të cilët e fërshëllyen lojtarin shqiptar, duke shkaktuar tension në një ndeshje relativisht të qetë. Gjesti nuk kaloi pa u vënë re dhe sipas “Protothema”-s, “kontestimet që zgjatën disa minuta, shkaktuan një stuhi me reagime”.
“Metrosport” theksonte se simboli i shqiponjës nuk është i panjohur në “Karaiskakis”, pasi ai është përdorur shpesh nga ylli i Olympiacos, Pajtim Kasami gjatë sezonit të kaluar.
Kjo është përforcuar nga vetë Andi Lila, që në faqen zyrtare në Instagram vendosi foton e tij përkrah asaj të Kasamit duke festuar me shqiponjë, me dedikimin “jemi shqiptarë”.
Mbrojtësi kuqezi u shpreh për mediat se gjithmonë i ka festuar golat me shqiponjë, që simbolizon vetëm flamurin. Ai theksoi se ky veprim tregon dashurinë për vendin dhe diçka të tillë do ta bëjë gjithmonë.
Festimi i Andi Lilës rrezikon ti shkaktojë probleme lojtarit te klubi i Pas Janinës. Në konferencën për shtyp, trajneri Giannis Petrakis theksoi se në ditët në vazhdim klubi do të mblidhet ta diskutojë ngjarjen.
Edhe pse nuk përjashtoi asnjë mundësi, drejtuesi i stolit theksoi se nuk është e matur të flitet menjëherë për një prishje të mundshme të kontratës dhe drejtuesit e klubit do të dalin me një përfundim pas shqyrtimit të episodit.
