Botë

Kriza e emigrantëve, mbyten 17 refugjatë në brigjet e Turqisë

28.09.2015 12:11

Një tjetër fatkeqësi në brigjet turke. 17 emigrantë të nisur drejt Greqisë u mbytën dje pas fundosjes së mjetit lundrues me të cilin udhëtonin...

Të gjithë viktimat besohet të jenë sirianë. Mes tyre, sipas raporteve të mediave lokale, ka 5 gra e 5 fëmijë.

Personat që humbën jetën në incidentin më të fundit të kësaj natyre kanë qenë të bllokuar në kabinën e anijes që përdorej për udhëtarët.

20 emigrantë të tjerë, të cilët ndodheshin në kuvertë dhe mbanin veshur jelekë shpëtimi, kanë shpëtuar që të gjithë.

Anija e fundosur besohet të jetë nisur nga brigjet e fshatit Gumusluk, pranë pikës turistike të Bodrumit, ku vdiq në fillim të muajit 3-vjeçari sirian, Aylan Kurdi, fotoja e trupit të pajetë të të cilit mbushi faqet e para të gazetave në mbarë botën e nxiti veprimet e komunitetit ndërkombëtar në ndihmë të refugjatëve.