Botë
Diyarbakir, kurdët sulmojnë policët, vdes një 9 vjeçare, 5 të plagosur
28.09.2015 14:31
Një vajzë 9 vjeçare ka mbetur e vdekur dhe 5 persona janë plagosur rëndë gjatë sulmit të militantëve kurdë të PKK-së në Diarbakir, në juglindje të Turqisë...
Sulmi ndodhi në rajonin Bismil dhe kishte si qëllim një makinë policie të parkuar pranë një pallati. Granata që shpërtheu la të vdekur dhe të lënduar banorët civilë të pallatit të cilët u dërguan menjëherë në spital.
Në një tjetër sulm në Hakarie ka mbetur i vdekur një militant kurd dhe një tjetër është plagosur rëndë gjatë një aksioni të Policisë turke.
Sipas të dhënave të Qeverisë turke, nga sulmet e militantëve të PKK-së vetëm gjatë korrikut janë vrarë 30 civilë dhe mbi 120 pjesëtarë të forcave të armatosura turke.
Dhuna u rikthye pas masakrës në Suruc më 20 korrik, që i dha fund armëpushimit të brishtë të arritur mes autoriteteve turke dhe militantëve të PKK-së në një konflikt që zgjat më shumë se 30 vjet.
GYLTENE SINANI
