Botë

Kriza siriane, Putin: Asad lufton organizatat terroriste

28.09.2015 14:41

Me krizën e Sirisë në krye të agjendës së udhëheqësve botërorë të mbledhur në selinë e OKB-se në Nju Jork, Vladimir Putin...

Me krizën e Sirisë në krye të agjendës së udhëheqësve botërorë të mbledhur në selinë e OKB-se në Nju Jork, Vladimir Putin lëshon një apel për krijimin e një strukture koordinuese rajonale kundër ISIS-it.
 
Presidenti rus e përforcoi edhe njëherë mbështetjen e tij për kreun e regjimit sirian, Bashar al Asad, njeriu që si perëndimi, ashtu dhe opozita siriane, e konsideron fajtor për situatën në vendin e zhytur në luftën kaotike civile dhe i kanë kërkuar largimin nga posti.  
 
“Ne mbështesim qeverinë legjitime të Sirisë. Dhe unë mendoj se përpjekjet për ta rrëzuar këtë qeveri legjitime do të krijojnë një situatë kaotike siç po shohim në vendet e tjera, si në Libi për shembull, atje ku institucionet e shtetit nuk funksionojnë. E njëjta situatë është edhe në Irak. Zgjidhja e krizës siriane bëhet përmes përforcimit të institucioneve legjitime, ato duhet t’i ndihmojmë të luftojnë terrorizmin, por në të njëjtën kohë duhet të vendosim edhe dialogun mes pushtetit dhe opozitës”- deklaroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
 
Kryeministri britanik, David Cameron, ndërkohë pranon që Asad të qëndrojë përkohësisht në pushtet si kryetar i një qeverie tranzicioni, por assesi nuk mund të jetë pjesë e së ardhmes së Sirisë.
 
“Zgjidhja do të jetë e përkohshme, ama nuk mundet të qëndrojë në krye të shtetit për sa kohë ka masakruar popullin e vet, e ka ndihmuar në krijimin e këtij konflikti dhe krizës aktuale të emigracionit. Ai është praktikisht një prej rekrutuesve më të mëdhenj të ISIS-it”- ka deklaruar Cameron.
 
Nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit sirian e përforcon edhe më shumë shtimi i pranisë ushtarake ruse në Siri në mbështetje të regjimit të Asadit.
 
GYLTENE SINANI