Maqedoni
FSSh, nga 1 tetori hap linjë për të sëmurit kronik
28.09.2015 15:54
Fondi për Sigurim Shëndetësor hap qendrën e thirrjeve telefonike për të siguruarit që vuajnë nga sëmundjet kronike...

Nga 1 tetori, Fondi për Sigurim Shëndetësor do të fillojë komunikimin përmes linjës telefonike me të siguruarit që vuajnë prej sëmundjeve kronike të zemrës, veshkave dhe diabetit.
Personat me sëmundje kronike, nga ana e mjekëve amë janë evidentuar, ata janë gjithsej 154 mijë e 531 të siguruar, prej tyre 9.4 janë të prekur vetëm prej njërës nga këto sëmundje, ndërsa 15% kanë njëkohësisht 2 ose 3 sëmundje kronike.
Sëmundja e zemrës rangohet e para për nga numri i pacientëve të identifikuar, edhe atë me gjithsej 96.305 pacientë.
Diabeti është sëmundja e dytë, me gjithsej 77.885 pacientë, kurse sëmundja e veshkave e treta, me gjithsej 4.802 pacientë.
“Qëllimi i komunikimit është që në mënyrë konstante t’i përkujtojmë të siguruarit t’i kryejnë të gjitha kontrollet e nevojshme të nivelit parësor dhe dytësor, dhe rregullisht ta pranojnë terapinë e përcaktuar. Në këtë mënyrë do të mund t’i parandalojmë pasojat katastrofale që mund t’ju kanosen pacientëve, si prerja e e gjymtyrëve tek të sëmurit me diabet, humbja e të pamurit, parandalimi i sulmeve të zemrës dhe të trurit, dializa etj”- deklaroi drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Orhan Ramadani.
Nga Fondi janë paraparë 10 grupe nëpër njësitë më të mëdha rajonale të këtyre qyteteve: Shkup, Tetovë, Manastir, Strumicë, Veles dhe Kumanovë.
Grupi do të përbëhet nga një mjek dhe një ekonomist-jurist. Komunikimi me të siguruarit do të zhvillohet nëpërmjet thirrjeve telefonike, sms porosive dhe postës elektronike, varësisht moshës me të cilën karakterizohet pacienti.
REJHANE BUSHI-METAJ
