Maqedoni

Bankës Botërore: Maqedonia, e dyta në rajon me rritje ekonomike

28.09.2015 16:08

Raporti i Bankës Botërore për Maqedoninë parashikon rritje për 3.2%, që në krahasim me vitin 2014 është një vlerësim më i ulët...

Raporti i Bankës Botërore për Maqedoninë parashikon rritje për 3.2%, që në krahasim me vitin 2014 është një vlerësim më i ulët, i cili është bazuar në krizën politike të vendit, por megjithatë shifrat e 3.2% janë mjaft solide dhe e rangojnë Maqedoninë në vendin e dytë në rajon me rritje ekonomike më të madhe.  
 
“Zhvillimi ekonomik në vend kryesisht është i mbështetur nga ndërtimtaria, tregtia, si dhe shërbimet financiare. Këtë herë industria ka një kontribut të vogël me faktin se prodhimi industrial në gjysmëvjetorin e parë ishte thuajse 0, ndërsa disa muaj edhe negativ”- deklaroi ekonomisti i Bankës Botërore, Bojan Shimbov.
 
Papunësia është ulur, por gjithsesi shqetësuese mbetet përqindja e  papunësisë së të rinjve, ku Maqedonia është në mesin e shteteve me papunësi të të rinjve më të lartë në Evropë, thuhet në raport.
 
Gjithashtu, sipas raportit të Bankës Botërore, një faktor tjetër shqetësues është edhe borxhi publik i cili prej vitit 2008 është dyfishuar, ndërsa pritet të ketë trend rritës edhe në të ardhmen.
 
Drejtori i Bankës Botërore vlerëson se shteti duhet të ketë kujdes se ku i harxhon mjetet e huazuara. 
 
“Në të ardhmen, gjithsesi, duhet të jenë të vëmendshëm kur është borxhi në pyetje. Duhet të shikohet se pse keni huazuar, cili është kualiteti i atyre huazimeve? Në rast se vendi huazohen për të hapur vende të reja pune dhe për të pasur zhvillim ekonomik, atëherë është produktiv. Por, nëse shteti huazohen për rroga të sektorit publik, atëherë nuk është produktiv dhe e thellon hendekun e efikasitetit fiskal të çdo vendi”- tha drejtori i Bankës Botërore për Maqedoni, Goran Tinjiç.
 
Nga ana tjetër, ekonomistët e Bankës Botërore vlerësojnë se kriza politike dhe kriza me emigrantët janë rreziqet me të cilat duhet të ballafaqohet Maqedonia, respektivisht vendet tjera të rajonit.
 
ERSAN PAJAZITI