Maqedoni

Marrëveshja politike e qershorit, Grupi punues diskuton pikën katër, MO-në

28.09.2015 16:23

Grupi punues ka vazhduar takimet për zbatimin e Marrëveshjes politike të dy qershorit, duke u përqendruar në pikën e katër të kësaj marrëveshje...

Grupi punues ka vazhduar takimet për zbatimin e Marrëveshjes politike të dy qershorit, duke u përqendruar në pikën e katër të kësaj marrëveshje, përkatësisht në përforcimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
 
Jozyrtarisht mësohet se me ftesë të BDI-së, në seancën e grupit punues ka marrë pjesë edhe diplomati holandez, Piter Feith, i cili si një nga ndërmjetësuesit e MO-së është paraqitur para përfaqësuesve të katër partive me ekspoze, pas së cilës është hapur debat.
 
Partia shqiptare në pushtet vlerëson se implementimi i Marrëveshjes së Ohrit ka shënuar ngecje në zbatimin e ligjeve që burojnë nga kjo marrëveshje, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në nivel lokal dhe qendror, si dhe në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
 
Në këtë frymë BDI ka hapur edhe një herë çështjen e tre të posteve shtetërore kryesore në vend dhe kërkesën e saj që një nga këto poste t’i takojë bashkësisë së dytë shumicë, përkatësisht shqiptarëve. 
 
Përveç rekomandimeve për zbatimin e plotë të MO-së dhe ndjekjen e kësaj fryme në ndërtimin dhe zhvillimin e Maqedonisë, grupi ka shqyrtuar edhe propozim-planin e veprimit që Qeveria ka hartuar për zbatimin e rekomandimeve të grupit të ekspertëve për çështje sistemore për funksionimin e shtetit ligjor, e që kanë të bëjnë me ndjekjen e paligjshme të komunikimeve. 
 
Nëse shënohet sukses në bisedimet për këto pika nuk përjashtohet mundësia që palët të shqyrtojnë edhe pikën për formimin e Komisionit Anketues Parlamentar, i cili do të shqyrtojë skandalin me përgjimet e paligjshme.  
 
Jozyrtarisht mësohet se opozita kërkon përcaktimin e obligimeve dhe afateve, por edhe ndarjen e përgjegjësisë dhe më shumë transparencë.
 
SHPËTIM NUREDINI