Maqedoni
Komisioni për Qasje të Lirë të Informatave, shtohet interesimi i qytetarëve
28.09.2015 16:36
Qytetarët e Maqedonisë dita-ditës më tepër shprehin interesim të kenë njohuri mbi informacionet me karakter publik...

Nëse në vitin 2005 qytetarët kanë parashtruar 500 kërkesa për akses deri te informatat me karakter publik, në vitin 2015 numri i kërkesave ka shkuar deri në 5000, thonë nga Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik.
Sipas komisionit në fjalë, qytetarët janë më të interesuar që të njoftohen me funksionimin e punës së pushtetit lokal, por edhe të atij shtetëror.
“Qytetarët ndonjëherë sikur anashkalojnë procedurat e ligjit të cilat janë, për shkak se kërkesat fillimisht parashtrohen tek institucionet gjegjëse dhe më pas, në afat prej 30 ditësh, nëse institucioni ku është drejtuar qytetari për të marrë informacione nuk i është përgjigjur, atëherë ka të drejtë ankese në komisionin tonë dhe në bazë të ankesës ne veprojmë, në bazë të ankesës së parashtruar në komisionin tonë”- deklaroi nënkryetari i KMDQLIKP-së, Blerim Hyseni.
Qasja deri te informatat me karakter publik paraqet çelës të demokracisë, ngase qytetarët kanë të drejtë të dinë për të gjitha vendimet që marrin institucionet për shoqërinë, thonë nga Misioni i OSBE-së.
“I inkurajoj të gjithë qytetarët që kanë interes të kërkojnë informacione, sa më tepër ta shfrytëzojnë qasjen për informata me karakter publik dhe ata që eventualisht nuk mund të marrin informata, t’i drejtohen komisionit që mbron të drejtën e tyre për qasje deri te informatat”- tha shefja e Misionit të OSBE-së në Shkup, Nina Soumaleinen.
Ndërkaq, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Qasjes së Lirë me Informatat me Karakter Publik, Komisioni për Mbrojtje të Qasjes së Informacionit me Karakter Publik, në shenjë të bashkëpunimit të mirëfilltë, ndau mirënjohje për Misionin e OSBE-së në Shkup.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
