Maqedoni
Debat për gjyqësorin, Këshilli Gjyqësor garantues i gjykatave të pavarura
28.09.2015 17:26
Këshilli Gjyqësor garanton pavarësinë e gjykatave, duke i lënë ato të kryejnë punën në bazë të kushtetutës dhe ligjeve...

Këtë sot e pohoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Branko Ushkovski, në debatin me temë “Roli i Këshillit Gjyqësor në mbrojtjen e gjykatësve nga ndikimet mbi pavarësinë e tyre”.
Edhe ndikimet në emërimet dhe avancimet e gjykatësve pamundësohen me ligj, u shpreh Ushkovski.
“Këshilli Gjyqësor mbron pavarësinë e gjykatave, duke u bazuar në kushtetutë dhe ligje. Këshilli u mundëson atyre që të kryejnë punën si organe të pavarura, të ndara nga pushteti ligjvënës dhe ekzekutiv”- tha kryetari i Këshillit Gjyqësor, Branko Ushkovski.
Por, kryetarja e Gjykatës Supreme, Lidija Nedellkova, kërkoi që Këshilli Gjyqësor të ndërtojë standarde të cilat do të pamundësonin çfarëdolloj ndikimi edhe të vetë Këshillit Gjyqësor në vlerësimin e punës së gjykatësve apo shkarkimin e tyre.
“Konsideroj se standardizimi i procedurave për vlerësim të punës së gjykatësve dhe standardizim të mekanizmave të Këshillit Gjyqësor në procedurat e shkarkimit do ta rrisë sigurinë, njëkohësisht edhe lirinë e gjykatësit gjatë vendimmarrjes për një lëndë të caktuar. Vetëm atëherë ai do të ndiente fuqinë e vërtetë të ligjit si mbrojtës i vetëm në punën e tij”- tha kryetarja e Gjykatës Supreme, Lidija Nedellkova.
Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, tha se roli i Këshillit Gjyqësor është që të parandalojë çdo ndikim nga pushteti ekzekutiv dhe ligjvënës, apo dhe ndikime të brendshme në gjyqësor.
Jashari tha se nëpërmjet përgatitjes së ligjeve aktuale janë duke tentuar që të krijojnë një infrastrukturë ligjore në përputhje me legjislaturën ndërkombëtare.
MERAL ISMAILI
