Botë

Afganistan, filloi kundërofensiva në Kunduz

29.09.2015 11:05

Qeveria e Afganistanit thotë se forcat e sigurisë e kanë filluar kundërsulmin kundër militantëve talibanë, të cilët dje e morën kontrollin ndaj qytetit Kunduz...

“Trupat e rinj kanë arritur në Kunduz dhe operacioni ka filluar”- ka njoftuar sot Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit.

Në njoftim thuhet se forcat qeveritare tashmë e kanë rimarrë kontrollin ndaj burgut të qytetit dhe selisë së policisë, që ishin okupuar nga talibanët.

Njëherësh, një zëdhënës i NATO-s tha se aeroplanët ushtarakë amerikanë i kanë qëlluar pozicionet e talibanëve “për eliminim e kërcënimit ndaj koalicionit dhe forcave afgane, që operojnë në afërsi të Kunduzit”.

Ushtarët afganë janë tërhequr dje në aeroportin e Kunduzit, pas disa orëve të përleshjeve me talibanët, të cilët depërtuan në këtë qytet strategjik, i okupuan ndërtesat qeveritare dhe i liruan qindra të burgosur.

Për të parën herë në 14 vitet e fundit, talibanët ia dolën ta marrin kontrollin ndaj selisë së provincës Kunduz.