Maqedoni

Jolevski: Pjesëmarrja në misione paqësore mund të rritet

29.09.2015 13:44

Maqedonia e vlerëson lart kontributin e operacioneve paqësore të KB-së për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare...

Maqedonia e vlerëson lart kontributin e operacioneve paqësore të KB-së për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe do të shqyrtojë mundësitë për rritjen e kontributit në operacionet e Kombeve të Bashkuara, në pajtim me nevojat e Organizatës dhe kapaciteteve nacionale.
 
Kështu deklaroi ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork në Samitin kushtuar operacioneve paqësore dhe nevojave të ardhshme të Organizatës Botërore në këtë drejtim.
 
Por, për misionet e reja eventuale ende nuk është vendosur, thotë Jolevski në një prononcim për TVM-në.
 
“Ministria e Mbrojtjes dhe unë si ministër kemi bërë më shumë aktivitete vitin e fundit, që të analizojmë mundësitë për pjesëmarrjen tonë në misionet e ardhshme paqësore. Në një numër takimesh kam iniciuar me të gjithë kolegët e Evropës Juglindore, për dërgimin e përbashkët të ushtarëve në misione paqësore të Kombeve të Bashkuara. Rreth këtij dokumenti të propozuar do të diskutojmë në të ardhmen. Kemi biseduar edhe me Italinë, që është njëra nga kontribuueset më të mëdha në misionet paqësore nga Evropa, me qëllim që dërgimi i oficerëve dhe ushtarëve tanë të jetë në kuadër të kontingjentit të tyre. Dhe opsioni i tretë që e diskutojmë është dërgimi i përbashkët i paqeruajtësve tanë me SHBA-të. Dhe bisedojmë së bashku me Senegalin, Vermontin, që Maqedonia dhe Senegali së bashku të dërgojnë paqeruajtës”- deklaroi ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.
 
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, në fjalimin e tij para të pranishmëve nga 50 vende të botës, theksoi nevojën për rritjen e operacione paqësore.
 
"Paqeruajtësit kanë një numër të madh detyrash, ata ballafaqohen me ekstremistë, grupe kriminale dhe të tjera të cilët nuk kanë kurrfarë respekti ndaj të drejtave humanitare dhe të njeriu"- theksoi Ban Ki-mun.
 
Ndërsa edhe presidenti i ShBA-së, Barak Obama, u përqendrua në rëndësinë e mbështetjes së operacioneve paqësore të OKB-së.
 
GYLTENE SINANI