Maqedoni

Tetovë, mbi 12000 qytetarë kanë takuar kryetaren Arifi

29.09.2015 15:01

Dymbëdhjetëmijë e pesëqind qytetarë kanë pasur mundësi që të takojnë dhe bisedojnë kokë më kokë me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifin...

Dymbëdhjetëmijë e pesëqind qytetarë kanë pasur mundësi që të takojnë dhe bisedojnë kokë më kokë me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifin, dhe të bisedojnë me të për çfarëdo problemi që i tangon ata dhe shoqërinë në përgjithësi.
 
Kjo u tha në Forumin Qytetar të organizuar nga Komuna e Tetovës, në bashkëpunim me Institutin Nacional Demokratik (NDI).
 
Qëllim i këtij organizimi është të afrojë komunën si institucion publik me organizatat e shoqërisë civile, asociacionet e ndryshme dhe qytetarët në përgjithësi, që në mënyrë të drejtpërdrejtë të pyesin dhe të shprehin idetë dhe projektet e tyre, theksoi kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi.
 
“Normalisht, kur gjithmonë ka ide të cilat kanë për qëllim rritjen e demokracisë dhe zmadhimin e qytetarisë aktive, normalisht që ne jemi të hapur jo vetëm kaq, por jemi përpjekur që gjatë kësaj periudhe të jemi sa më kreativ, që qytetarët të kenë qasjen e tyre deri tek komuna dhe kryetari i tyre. Vetëm për informimin tuaj, sistemin e kemi vendosur për qytetarët, kryetari i komunës ka pasur takime kokë më kokë  me dymbëdhjetëmijë e pesëqind qytetarë deri tani”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.      
                                                                
Kryetari i Këshillit Komunal, Hisen Xhemaili, tha se janë marrë parasysh të gjitha iniciativat që kanë rrjedhur nga shoqëritë civile.  
  
“Në këtë drejtim dua të theksoj se Këshilli i Komunës së Tetovës edhe deri më tani ka marrë parasysh iniciativat që kanë rrjedhur nga shoqëritë civile dhe nga organizata të ndryshme qytetare të cilat më pastaj idetë e tyre janë marrë parasysh që të jenë edhe pjesë e programeve buxhetore”- tha kryetari i Këshillit Komunal-Tetovë, Hisen Xhemaili.    
                                                                        
Nga pushteti lokal në Tetovë thonë se dyert e komunës janë gjithmonë të hapura dhe qëndrojnë në shërbim të qytetarëve.
 
VISARI SADIKI