Maqedoni
Në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut do të trajnohen gjykatës nga Maqedonia
29.09.2015 15:20
Në bashkëpunim me Akademinë e Prokurorëve dhe Gjykatësve të Francës, Maqedonia do të dërgojë gjykatës dhe prokurorë për të kryer përvojë pune në gjykatat ndërkombëtare...

Drejtoresha e Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publik, Aneta Arnaudova, bëri të ditur se në kuadër të misionit ekspertiv të drejtuar nga Reihard Pribe, disa gjykatës do të zhvillojnë praktikë disamujore në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Akademia në suaza të planit aksionar të misionit ekspertiv të udhëhequr nga Reihard Pribe, ka marrë obligim që kandidatët e fazës së parë të trajnimit në akademi t’i dërgojë në trajnim njëmujor në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndërsa në veçanti do të fillojmë me praktikën e trajnimit të gjykatësve të Maqedonisë në kohë më të gjatë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në interval gjashtëmujor apo edhe më tepër”- deklaroi drejtoresha e Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publik, Aneta Arnaudova.
Gjykatësi francez, Jerome Deroules, theksoi se drejtësia realizohet vetëm duke respektuar ligjet, normat e brendshme dhe ato ndërkombëtare.
“Drejtësia mund të realizohet në mënyre kohezive me respektimin e kritereve të tërësishme, me praktikën e tërësishme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me funksionimin e mirëfilltë të institucioneve dhe me respektimin e sistemit të drejtësisë, i cili është i patjetërsueshëm në aplikim e procedurave”- tha gjykatësi francez, Jerome Deroulez.
Këto komente u thanë në serinë e temave që kanë për qëllim trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve të vendit, me ç’rast sot u trajtua tema për pranimin e standardeve dhe akteve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardeve nga jurisprudenca dhe praktika e gjykatave franceze.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
