Maqedoni
Analizohet zbatimi i MO-së, në dhjetor detaje për të arriturat në praktikë
29.09.2015 15:57
Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ka ngelur pa detaje mbi zbatimin në praktikë të marrëveshjes kornizë...

Zëvendëskryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, në një takim me gazetarë tha se një pasqyrë më e qartë do të bëhet publike në dhjetor në konferencën ndërkombëtare me temë “Kohezioni shoqëror”.
Tanimë tre javë janë angazhuar 6 grupe pune të cilat po analizojnë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të bashkësive joshumicë, procesin e decentralizimit, jo diskriminimin, përdorimin e gjuhëve në të gjitha nivelet, arsimin, si dhe bashkësitë më të vogla në vend.
Zëvendëskryeministri Xhaferi thotë se analizat për të arriturat e Marrëveshjes kornizë do të shërbejnë për rritjen e tolerancës ndëretnike dhe nxitjen e vullnetit politik në jetësimin e plotë të marrëveshjes që nuk ka qenë praktikë e deritanishme.
“Asnjëherë nuk është pretendim i Marrëveshjes së Ohrit se kjo do të shkojë në dëm të shumicës. Ne duhet bashkërisht të ndërrojmë qasjen se MOH nuk është një e mirë apo benefit vetëm i shqiptarëve apo edhe i grupeve më të vogla. Është benefit i të gjithëve, se ndërton kohezionin e përgjithshëm, shmang konfliktet eventuale që mund të shfaqen gjatë përplasjeve mes grupeve”- deklaroi zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.
Gjatë analizës nuk do të mungojë as ndihma e Institutit Evropian të Paqes dhe të OSBE-së.
Përfaqësuesi i Institutit Evropian të Paqes, Piter Feit, njëkohësisht edhe pjesëmarrës në bisedimet për tejkalimin e krizës gjatë vitit 2001, tha se një analizë e tillë e marrëveshjes ndodh edhe në vende të tjera ku ka pasur konflikte serioze.
“Është në interes të vendit që të bëhet një analizë e tillë. Ky është edhe qëndrimi i Komisionit Evropian. Nuk thuhet se marrëveshja nuk është realizuar fare. Sipas meje, marrëveshja nga më shumë këndvështrime po realizohet me sukses, megjithatë në disa pika do të ishte në interes të vendit dhe shoqërisë që të ndërmerren disa hapa të reja”- tha Feit gjatë bisedës me gazetarë.
Shefja e misionit të OSBE-së tha se analiza do t’i shërbejë të ardhmes së vendit.
“Ne duam të shohim politika të qarta për ndërtimin e kohezionit multietnik dhe një shteti modern evropian. Këto politika do të duhet të zbatohen dhe ne shpresojmë që analiza e hapur e Marrëveshjes së Ohrit është një nisje e mirë për këtë”- theksoi shefja e misionit të OSBE-së në Shkup, Nina Suomalainen.
Analiza mbi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ka filluar në vitin 2012. Kjo është faza e dytë e rishikimit të përparimeve.
Konkluzat që do të dalin nga konferenca ndërkombëtare në bashkëpunim me sektorin civil dhe akademikët do të miratohen nga qeveria.
MERAL ISMAILI
