Maqedoni
Miratohet Ligji për siguri në komunikacion rrugor, Ligji parashikon gjoba nga 10 deri në 400 euro
29.09.2015 16:16
Pas një debati të gjatë midis përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës, Kuvendi Republikan mbrëmë vonë...

Pas një debati të gjatë midis përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës, Kuvendi Republikan mbrëmë vonë, në kuadër të seancës së 67-të, me 84 vota për, asnjë kundër dhe 3 të përmbajtur miratoi ndryshimet e Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor.
Propozuesit e ndryshimeve të ligjit thonë se me ndryshimet synohet tejkalimi i problemeve të deritanishme që paraqiten si praktikë, si dhe harmonizimi i ligjit vendas me rregullativën ligjore evropiane.
Ndryshimet ngërthejnë qasje të re në pjesën e politikës ndëshkuese për shkelje të ligjit nga fusha e komunikacionit rrugor, kështu që parashikohen gjoba prej 10, 45, 300 dhe 400 euro në kundërvlerë të denarit për të gjithë shoferët që do të lëvizin më shpejtë se e lejuara në zonat e banuara.
Përveç dënimit në para, shoferit do t’i regjistrohen edhe pikë negative, si dhe do t’i shqiptohet edhe ndalesë për drejtim të automjetit prej 6 deri në 12 muaj, varësisht nga kategoria e shkeljes së ligjit.
Me këtë ligj, mes tjerash është paraparë përdorimi i domosdoshëm i dritave të ndezura gjatë përdorimit të automjetit vetëm në periudhën nga muzgu i parë deri në agimin e plotë, si dhe ditën në rast të dukshmërisë së zvogëluar.
Tek motoçiklistët, është e domosdoshme përdorimi i dritave ditën dhe natën.
Kuvendi ka mbështetur edhe propozim-ligjin për ndryshim të Ligjit për tarifë doganore në lexim të parë, ndërsa në kuadër të seancës së 67-të, ku ndodhen 100 pika të rendit të ditës, ka vazhduar debati për ndryshimet e propozuara të Ligjit për furnizime publike, me të cilin parashikohet që Këshilli për Furnizime Publike të ndahet nga Byroja për Furnizime Publike dhe të bëhet organ i pavarur.
NAIM RAMADANI
