Maqedoni
Strategjia nacionale do të përmirësojë kushtet në burgje
29.09.2015 16:47
Me 1.8 milion euro, BE do të financojë ndërtimin e institucioneve të reja ndëshkuese, rekonstruim të atyre ekzistuese dhe vendosjen e sistemit për mbikëqyrjen e të burgosurve nga shtëpia...

Të gjitha këto janë të parapara në kuadër të strategjisë nacionale për zhvillimin e sistemit penitenciar.
“Do të krijohet mundësia që personat e dënuar, përpos vuajtjes së dënimeve tradicionale në burgje, mund ta mbajnë dënimin përmes masave tjera alternative, mbi bazë të së cilës do reflektohet në resocializim dhe do të zvogëlojë numrin e personave që vuajnë dënimin në burgje, sepse ky numër ka tejkaluar kapacitetet e burgjeve”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
“Burgu paraqet fytyrën e sistemit juridik në çdo shtet. Protestat e shpeshta na bëjnë të ditur se kushtet në të cilat qëndrojnë të dënuarit në institucionet ndëshkuese janë të këqija. Prioritetet e BE-së janë të qarta, ajo çdoherë do të financojë strategji që mbrojnë të drejtat fundamentale njerëzore”- tha shefi i delegacionit të BE-së, Aivo Orav.
“Personat të cilët vuajnë dënim me burg janë në përgjegjësi të shtetit. Me rëndësi është që ata të trajtohen denjësisht dhe të dalin nga këto institucione ndëshkuese si persona të resocializuar dhe jo të ndodhë e kundërta”- tha Ivan Kodejikov nga Drejtoria për Sundimin e së Drejtës në KE.
Në Maqedoni ka 11 burgje dhe dy institucione ndëshkuese përmirësuese. Përveç këtyre institucioneve, në realizimin e strategjisë do marrin pjesë edhe Ministria e Drejtësisë, Shëndetësisë, Arsimit dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
FLUTURA LATIFI
