Maqedoni
Regullativa zgjedhore, Grupi punues në luftë me afatet
29.09.2015 17:18
Regullativa zgjedhore sërish është rikthyer në tryezën e bisedimeve të Grupit të punës për zbatimin e Marrëveshjes politike të qershorit...

Ashtu si me çështjen e prokurorit special, edhe çështja për përbërjen dhe kompetencat e KSHZ-së kanë mbetur pa u dakorduar deri në ditën e fundit të paraparë me Marrëveshjen e Përzhinës.
Sipas këtij dokumenti, përbërja e KShZ-së duhej të jetë mbyllur deri më 31 korrik, ndërsa kompetencat e saj duhet të dakordohen më së voni ditën e mërkurë, më 30 shtator.
Pavarësisht që afati skadon brenda 24 orësh, palët nuk kanë afruar qëndrimet për shumë çështje lidhur me KShZ-në.
Jozyrtarisht, palët janë dakord që KShZ-ja të përbëhet nga 9 anëtarë, 3 prej të cilëve të propozohen nga pushteti, 3 nga opozita dhe 3 ekspertë të fushës që do të zgjidhen në kuvend, por jo edhe për institucionin që do të vendosë për ankesat në shkallë të dytë.
Përderisa LSDM dhe BDI vlerësojnë se duhet një trup i veçantë për shqyrtimin e ankesave, VMRO-DPMNE është e kënaqur me punën e Gjykatës Administrative në shqyrtimin e ankesave për konteste elektorale.
Çështja e diasporës, edhe më tej mbetet një ndër pikat më kontestuese. Përderisa BDI-ja kërkon heqjen e njësive 7, 8 dhe 9, VMRO kërkon rritjen e numrit të deputetëve nga diaspora.
Ndërkaq, LSDM-ja kërkon respektimin e parimit të barazisë së votës, për të pamundësuar që deputeti nga diaspora të fitojë mandatin vetëm me disa qindra vota.
Konformë Marrëveshjes së qershorit, brenda këtij afati, Grupi punues dhe organet përkatëse duhej të kenë gjetur metodologjinë për pastrimin e listës zgjedhore, por edhe të kenë implementuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.
SHPËTIM NUREDINI
