Maqedoni
Në fshatin Banjicë të Gostivarit ndërtohet kanalizimi dhe rinovohet ujësjellësi
29.09.2015 17:37
Komuna e Gostivarit ka vijuar me realizimin e projekteve urbane në kuadër të programit investues për vitit 2015...

Aktiviteti i radhës është ndërtimi i rrjetit të kanalizimit për ujërat e zeza, si dhe ndërrimi i gypit të ujësjellësit në lagjen e quajtur “Vreshtat”, në fshatin Banjicë të Poshtme, respektivisht rrugës për në fshatin Simnicë.
I pranishëm në fillimin e punimeve ishte kryetari i komunës, Nevzat Bejta, i cili pasi u informua më për së afërmi me mbarëvajtjen e punëve, potencoi se “me këtë investim zgjedhim problemin e ujit dhe kanalizimit të ujërave të zeza për 70 amvisëri dhe disa kapaciteteve afariste që kryejnë veprimtarinë e tyre në këtë pjesë të qytetit”.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike, Memedali Xhaferi, njoftoi se ky investim kap shumën prej 5.500,000 denarëve, apo rreth 90.000 euro.
“Kanalizimi realizohet me gjatësi rreth 630 metra dhe po ashtu bëhet ndërrimi i gypit të ujësjellësit, sepse si pasojë e gypave të vegjël të ujit për pije banorët e këtij lokaliteti kishin edhe mungesë të ujit të pijshëm. Gypat nga f 50 zëvendësohen me f 100, po ashtu me gjatësia 630 metra. Do të bëhet edhe montimi i 3 hidrantëve kundër zjarrit”- tha mes tjerash Xhaferi.
Të kënaqur janë shprehur edhe banorët e kësaj lagjeje, të cilët për gati 40 vite, që se ka filluar të popullohet kjo lagje, kanë qenë të detyruar të bëjnë shpenzime të shumta financiare për pastrimin e gropave septike.
LULZIM HAZIRI
