Botë

Kriza e refugjatëve, tensione në kufirin Itali-Francë

30.09.2015 14:15

Në Itali, policia është përleshur me rreth 100 emigrantë që qëndronin në tenda të improvizuara në kufirin mes Italisë dhe Francës...

Policia u përpoq t’i marrë ata për t’i dërguar në kampet e refugjatëve brenda tokës italiane, por kjo shkaktoi reagimin e emigrantëve, disa prej të cilëve janë hedhur edhe në det vetëm që të mos dërgohen në kampet e përbashkëta, pasi pretendojnë të mos mbeten në Itali, por të kalojnë në Francë.
 
Por, Franca ka mbyllur kufijtë dhe tensionet janë shtuar ndjeshëm. Më shumë se 130 mijë refugjatë me anije kanë arritur në Itali këtë vit.
 
Franca refuzon t’i pranojë pasi, sipas ligjeve evropiane, refugjatët janë përgjegjësi e Italisë. 
 
Hungaria, ndërkohë, u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara që të vendosin kuota globale për emigrantët, me argumentin se është e padrejtë që Evropa të marrë shumicën e refugjatëve që ikin nga Siria.
 
Peter Szijarto, ministër i Jashtëm i Hungarisë, ka sugjeruar që barrën e emigrantëve ta mbajnë të gjithë lojtarët e mëdhenj.
 
“Duhet të prezantojmë disa kuota botërore”- ka thënë Szijarto.
 
Ai ka shtuar se kuotat duhet t’iu ndahen posaçërisht vendeve që kanë kontribuuar në trazirat në Lindjen e Mesme, duke aluduar në Shtetet e Bashkuara. 
 
“Ne duhet të vendosim një forcë të përbashkët të Bashkimit Evropian në mbrojtje të kufijve të jashtëm të unionit dhe të kufijve të jashtëm të Greqisë. Pasi të krijohet kjo forcë, Hungaria do të mbështesë edhe planin e kuotave të detyrueshme”- deklaroi ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto.
 
Por, me gjithë përpjekjet e Hungarisë për t’i mbajtur larg emigrantët, rruga e tyre drejt Evropës nuk ka të ndalur, bashkë me rrezikun që bart kjo rrugë. 1,151 emigrantë ilegalë janë shpëtuar në 11 operacione të ndryshme pranë brigjeve libiane dhe ky udhëtim i rrezikshëm, sidomos tani me afrimin e dimrit, e bën të domosdoshme gjetjen e një zgjidhjeje për krizën. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI