Maqedoni
Gjoba për vozitësit e pakujdesshëm, qytetarët përshëndesin ndryshimet ligjore
30.09.2015 14:40
Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të aksidenteve të shtuara në zonat e banuara që vijnë nga shoferët e pandërgjegjshëm që ecin me shpejtësi marramendëse aty ku duhet të bëjnë më shumë kujdes...

Gjobat e mëdha të parashikuara në ndryshimet e Ligjit për siguri në komunikacion kanë si qëllim të edukojnë shoferët e pandërgjegjshëm, por edhe të shpëtojnë jetën e këmbësorëve.
Por, qytetarët thonë se në shumë raste nuk janë fajtorë vetëm shoferët. Rregullat në komunikacion shpesh nuk i respektojnë as këmbësorët.
“Nuk i respektojnë aq sa duhet, por ndoshta me ndryshimin e ligjeve do të përmirësohemi të gjithë qytetarët”- theksoi një qytetar.
“Ligji është i mirë, por ne duhet ta respektojmë. Besoj që kjo do të ndikojë pozitivisht për të mirën e popullatës. Momentalisht edhe qytetarët nuk i respektojnë rregullat, sepse ne tërë ditën jemi në komunikacion dhe shumë dobët nga ana e qytetarëve respektohen”- theksoi një qytetar.
“Nuk i respektojnë aspak shenjat e komunikacionit. Mendoj se ndryshimi i ligjit është i mirë. Shpresojmë se me dënime do të zvogëlohen aksidentet, por tek ne nuk është e mundur, sepse këtu janë grumbulluar shumë probleme jo vetëm në komunikacionin, por ne qytetarët kemi problem në komunikacion në rrugën “Cvetan Dimov”. Ky ligj, nëse do të respektohet, është i mirëseardhur për qytetarët”- u shpreh një qytetar.
Nëse nuk i respektojnë nga qejfi, tashmë shoferët do të jenë të detyruar t’i respektojnë rregullat “nga halli”.
Ligji parashikon gjobë prej 400 eurosh për ata që drejtojnë makinën me më shumë se 50 km në orë në zona të banuara dhe 65 pikë negative, 300 euro gjobë dhe 50 pikë negative shoferit i cili në zona të banuara lëviz me shpejtësi prej 30 deri në 50 km/h mbi shpejtësinë e lejuar e kështu me radhë.
Përveç gjobës, shoferëve të pakujdesshëm do t’u ndalohet drejtimi i makinës deri në 12 muaj.
REJHANE BUSHI-METAJ
