Botë

Parlamenti Rus voton, Rusia përgatit sulmet ajrore kundër IS-is

30.09.2015 15:03

Vladimir Putin kërkoi dhe e siguroi aprovimin e Dhomës së Lartë të Parlamentit për të përdorur forcën ushtarake jashtë kufijve...

Vladimir Putin kërkoi dhe e siguroi aprovimin e Dhomës së Lartë të Parlamentit për të përdorur forcën ushtarake jashtë kufijve, çfarë u përkthye shpejt si hapi i radhës drejt angazhimit të trupave ruse në konfliktin sirian.
 
Shefi i Kremlinit e ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme se, dërgimi i ushtarëve në terren nuk është pjesë e planeve të një të ardhmeje të afërt.
 
Por, Moska, sipas Shërbimeve amerikane të Inteligjencës, ka dërguar ndërkohë të paktën 32 avionë në Siri dhe masa e miratuar me urgjencë nga Këshilli i Federatës praktikisht i autorizon të bëhen pjesë e luftimeve.
 
Para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Putin apeloi për një koalicion me bazë të gjerë kundër “Shtetit Islamik”, i cili të ketë dhe mbështetjen e OKB-së.
 
Përfshirjen në fushatën ajrore anti-ISIS, presidenti rus e përmendi nga ana tjetër edhe pas takimit kokë më kokë me Barack Obamën.
 
Zyrtarët amerikanë pretendojnë se, përpos avionëve luftarakë, Moska ka dërguar gjithashtu 500 trupa e një sërë pajisjesh ushtarake në veriperëndim të Sirisë, lëvizje kjo që shumë e shohin si përpjekje të udhëheqësit rus për të mbajtur në pushtet Bashar al-Assadin, aleatin e tij më të madh në Lindjen e Mesme.
 
E gjithë kjo sipërmarrje mund të çojë ndërkohë drejt të parit angazhim të Rusisë në një vatër të largët konflikti, që prej ndërhyrjes së Bashkimit Sovjetik në Afganistan në 1979.
 
Sa për dritën jeshile të Parlamentit për dislokim trupash jashtë kufijve, hera e fundit që Putin kërkoi aprovimin e ligjvënësve, një detaj teknik ky i diktuar nga ligjet në fuqi, ka qenë vitin që shkoi.
 
Fill pas kësaj, Moska kaloi në veprim, duke i marrë Ukrainës gadishullin e Krimesë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI