Maqedoni
(Keq)përdorimet e interesit publik, mediat të ndikojnë në ngritjen e vetëdijes qytetare
30.09.2015 15:25
Interesi publik keqpërdoret në më shumë aspekte në dëm të qytetarëve...

Më evident është keqpërdorimi i parave të popullit, u tha në debatin për rritjen e vetëdijes qytetare mbi mbrojtjen e interesit publik, të organizuar nga Instituti i Studimeve të Komunikimit.
Ish ministri i Financave, Petar Goshev, tha se Ministria e Financave fsheh informacione nga Banka Popullore për krijimin e raportit për stabilitet financiar, nuk jepen detaje se sa para harxhohen për punësime në administratë, si dhe nuk paraqitet realisht borxhi publik i komunave.
“Vetëm një komunë nga 84 komuna, plus Shkupi si komunë e veçantë, ka së paku 40 milion euro, ndërsa në faqen e Ministrisë së Financave do të lexoni 12.5 milion euro. Ky është keqpërdorim i interesit publik dhe nevojës së qytetarëve të vendit që të dinë se pse nuk paraqitet realisht borxhi”- tha ish ministri i Financave, Petar Goshev.
Avokati, Zharko Haxhi–Zafirov, thotë se qytetarët manipulohen duke mos ditur të drejtat e tyre publike me miratimin e shpejtë të ligjeve me interes publik.
“Kur brenda një dite miratohen mbi 100 ligje, atëherë vihet në pikëpyetje qartësia dhe parashikimet e ligjeve, pasi që s’mund me inflacion të ligjeve dhe ndryshime të përshpejtuara të tyre ne të garantojmë se ato ligje do të jenë të qarta, precize dhe lehtë të kapshme për qytetarët”- theksoi avokati, Zharko Haxhi–Zafirov.
Senzibilizimi i opinionit publik për interesin publik do të bëhej nëpërmjet mediave, u tha në debat. Por, gazetarët thonë se është e vështirë me vetë faktin e kontrollit të ushtruar mbi mediat.
“Kur dëshironi ta kidnaponi interesin publik dhe ta shndërroni në partiak, atëherë ju qytetarët i shkëputni nga shumë informacione, pasi që keni heshtur mediat dhe gazetarët. Kur flasim për gazetarë të heshtur, për media të robëruara, atëherë kemi të bëjmë me opinion publik të robëruar, i cili nuk ka të drejtë të pyes dhe të marrë përgjigje”- u shpreh gazetarja, Tamara Çausidis.
Instituti i Studimeve të Komunikimit për të mbrojtur interesin publik do të organizojë debate tjera me kyçjen e aktive të ekspertëve, si dhe do të zhvillojë udhëzime për politikat redaktuese në shërbim të interesit publik.
MERAL ISMAILI
