Maqedoni

Xhaferri pret ambasadorin Holandez, Wouter Plomp, diskutojnë zbatimin e MO-së

30.09.2015 16:24

Zëvendëskryeministri , Musa Xhaferri ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në vendin tonë Wouter Plomp.

Xhaferri e njoftoi ambasadorin Plomb për implementimin e obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit (MO) duke u ndalur në Analizën për zbatimin e këtij dokumenti paqësor, që përgatitet nga ana e Sekretariatit për Implementimin e MO-së dhe në bashkëpunim me Institutin evropian për paqe dhe OSBE-në.
 
Kjo analizë, theksoi Xhaferri, është bazë e mirë për krijimin e politikave për zbatimin e këtij dokumenti në të ardhmen.
 
Ai gjithashtu e njoftoi ambasadorin edhe për organizimin e Konferencës ndërkombëtare që pritet të mbahet deri në fund të këtij viti.  
 
Zbatimi i MO-së mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe se kjo marrëveshje hap rrugën vendit drejt anëtarësimit në strukturat euro-atlantike, NATO dhe BE, tha zëvendëskryetari i Qeverisë së Maqedonisë. 
 
Xhaferri dhe Plomb biseduan edhe për tema tjera, si situata politike në vend, procesi i integrimit, zbatimi i reformave të nevojshme që janë pjesë e agjendës evropiane, si dhe për temat që janë në interes të përbashkët.
 
Nga ana e tij, ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Wouter Plomp theksoi se vendi i tij mbështet zbatimin e MO-së, përkatësisht Analizën që përgatitet nga SIMO, Instituti evropian për paqe dhe OSBE-ja.
 
Ai gjithashtu tha se Holanda mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.