Maqedoni

Euroambasadori Orav: pushteti t’i lërë institucionet të punojnë

30.09.2015 17:03

Si njollë në ekonominë e vendit mbetet kriza politike dhe ndikimi i partive politike mbi institucionet publike dhe ky është një fenomen që po dëmton bizneset...

Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, apelon se sfidë kryesore për Maqedoninë është që shteti të mos ketë ndikim në institucionet publike.
 
“Autoritet duhet të marrin përgjegjësi, të krijojnë një mjedis i cili do të jetë i përshtatshëm për biznesin. Ne nga BE propozojmë që të kthehet sundimi i ligjit dhe besimi tek institucionet publike. Gjithashtu me rëndësi është edhe objektiviteti i sistemit gjyqësor të jetë i pavarur nga pushteti, si dhe partitë politike të mos kenë ndikim në administratë që në këtë mënyrë qytetarëve dhe bizneseve t’u kthehet besimi tek institucionet”- deklaroi ambasadori i BE-së, Aivo Orav.
 
Kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha, pohon se kriza politike ka ndikuar negativisht në ekonominë e vendit, ndërsa apeloi që autoritetet të përqendrohen në zhvillimin ekonomik të vendit.
 
“Kriza politike është e vërtetë, që kishte një impakt negativ në zhvillimin ekonomik të vendit dhe kjo krizë e rëndon mjaftë biznesin si në vend ashtu edhe jashtë. Është e udhës që politikbërësit të fokusohen më tepër në realizimin e kushteve ekonomike të  kompanive, sepse pa një ekonomi të shëndoshë nuk mund të ketë as perspektivë të vendit”- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
 
Maqedonia është ranguar në vendin e 60 në raportin për konkurrencë globale, që paraqet ngritje prej 3 vendeve në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa konferenca e sotshme i ishte kushtuar pikërisht përmirësimit të konkurrencës.
 
ERSAN PAJAZITI