Maqedoni

236 fëmijë në rrugë, Mehmeti: të merren masa ndaj prindërve

30.09.2015 17:07

236 fëmijë janë regjistruar si lypës në rrugët e Maqedonisë në hulumtimin e fundit të Avokatit të Populli...

Në krahasim me vitin 2011 ka ulje të numrit të tyre, por janë regjistruar fëmijë në gjashtë qytete të reja. Fëmijët më të vegjël në rrugë kanë vetëm disa muaj, ndërsa më të mëdhenjtë edhe nga 18 vjet.
 
Pjesa dërmuese, gjegjësisht 228 janë romë, 5 turq, 2 maqedonas dhe 1 egjiptian. Këta fëmijë vijnë nga familjet e varfra ekonomikisht dhe brengosës është fakti që ata detyrohen të lypin nga vetë prindërit e tyre.
 
Avokati i popullit, Ixhet Mehmeti, thotë se për t’i mbrojtur këta fëmijë duhen marrë masa ndaj prindërve.           
 
“Duhet të ndërmerren masa ndaj prindit i cili e keqpërdor të drejtën prindërore në mënyrë të vrazhdë, i shpërfillë detyrat prindërore në kuadër të të cilave është edhe detyrimi i fëmijëve që të lypin ose shfrytëzimi i tyre për lypje, detyrimi i fëmijëve për punë e cila nuk përkon me moshën e tij dhe ngjashëm”- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
 
Nga misioni i BE-së në Shkup thonë se do të vazhdojnë të ndihmojnë institucionet për të mbrojtur të drejtët e fëmijëve. 
 
“Identifikacioni dhe sistemi social është i rëndësishëm që t’i shpjerë fëmijët nga rruga tek familjet e tyre dhe shkollat”- tha ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav.      
 
Por, edhe pse nuk ishin pjesë e statistikës së Avokatit të Popullit, në rrugë gjenden gjithnjë e më shumë fëmijë shqiptarë që lypin apo shesin të detyruar nga familjarë të tyre.
 
Ekipi i TVM2 vetëm sot filmoi një 5 vjeçar që tashmë gjatë kohë shet gjësende në lokalet e Çarshisë së Vjetër. 
 
-“Kam ardhur këtu me autobusin 59”- tha ai.
 
Sa kohë punën këtu?
 
-“Tre vjet”- u përgjigj ai. 
 
A blejnë njerëzit facoleta dhe a të japin më shumë para se sa duhet?
 
-“Po, më japin më shumë, nga 100, 30 denarë”- theksoi ai. 
 
A e dinë prindërit se ke dalë të shesësh facoleta?
 
“Po, e dinë të gjithë se po shes palloma”- u shpreh ai. 
 
Po paratë mandej kujt ia jep në shtëpi?
 
-“Babait tim, ai punon si rojtar”- tha fëmija. 
 
Nga zyra e Avokatit të Popullit theksojnë nevojën për bashkëpunim të shoqërisë civile me institucionet shtetërore, por puna më e madhe duhet të bëhet me prindërit e këtyre fëmijëve të cilëve duhet t’u shpjegohet edhe në mënyrë ligjore, se fëmija nuk duhet nxjerrë në rrugë, pa marrë parasysh vështirësitë ekonomike të familjes. 
 
REXHEP QAMILI