Maqedoni

Ndihmësit e Janevës, ja cilët janë prokurorët publik shqiptarë

30.09.2015 17:11

4 prokurorët shqiptarë që do të ndihmojnë prokuroren speciale, Katica Janeva, vijnë nga Prokuroritë Publike të Tetovës, Shkupit dhe Kumanovës...

Lejla Kadriu ka qenë bashkëpunëtore në Gjykatën e Apelit në Gostivar, është prokurore publike nga Tetova, ka qenë në grupin punues për propozim-tekstin e Ligjit për Prokurorinë Publike.
 
Fatime Fetai vjen nga Prokuroria Publike e Shkupit, është emëruar prokurore në Prokurorinë e Shkupit më vitin 2011.
 
Artan Ajro, punon në Prokurorinë e Shkupit. Më parë ka punuar edhe në Ministrinë e Drejtësisë. 
 
Burim Rustemi, vjen nga Prokuroria Publike e Kumanovës, ka punuar më herët edhe si avokat.
 
Këto janë të dhënat që mund t’i gjesh nëse kërkon biografinë e prokurorëve shqiptarë. Më shumë të dhëna ka për njërën nga prokurorët e rinj ndihmës të prokurores speciale. 
 
Lile Stefanova vjen nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në opinion e njohur për shkak të rasteve në të cilat është angazhuar. Ajo ka përfaqësuar Prokurorinë në proceset gjyqësore “Spiunazhi”, “Likuidimi”, “Fallanga 2”, “Mashinopromet”, “Vjedhja në muze”, dhe si ndihmësprokurore në rastin “Puç”. Aktualisht punon me dosjen “Maxhar Telekom”, në procedurën parahetimore.
 
Tjetër prokuror i njohur për opinionin shqiptar është edhe Darko Jakimovski, i cili ishte i angazhuar në rastin kundër 20 vjeçarit, Naser Eshtrefi, nga Gërçeci, i gjykuar për vrasjen e Angell Petkovskit nga Gjorçe Petrov. 
 
Prokurorët e tjerë janë relativisht të panjohur për opinionin.
 
BESIM ABDULLAI