Maqedoni

Grupi punues, dakordohet formati dhe kompetencat e KShZ-së

30.09.2015 17:31

Edhe pse Marrëveshja politike e 2 qershorit parasheh 30 shtatorin si afat për dakordimin e Kodit Zgjedhor...

Edhe pse Marrëveshja politike e 2 qershorit parasheh 30 shtatorin si afat për dakordimin e Kodit Zgjedhor, Grupi punues siç duket do të shfrytëzojë afatin shtesë të dakorduar në sesionin e pestë të dialogut qasës të nivelit të lartë mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Komisionit Evropian, 6 tetorin.
 
Burime nga Grupi punues njoftojnë se në takimin e sotëm është dakorduar vetëm formati dhe kompetencat e KShZ-së, por jo edhe çështjet që kanë të bëjnë me legjislativen zgjedhore.
 
Siç duket, për mbylljen e këtij kapitulli mbetet gjashtë tetori edhe pse komisari për zgjerim, Johanes Han, rekomandoi partitë politike që të mos presin ditën e fundit për dakordimin e Kodit Zgjedhor, pastrimin  e Listës Zgjedhore, por edhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. 
 
Sipas burimeve nga Grupi i punës, edhe bisedimet për Kodin Zgjedhor janë të vështira, pa asnjë avancim.
 
Vetë aktorët pjesëmarrës në bisedime vlerësojnë se pa presion të shtuar nga ndërkombëtarët marrëveshjet duken të paarritshme. 
 
Sa i përket pastrimit të Listës Zgjedhore, BDI edhe më tej mban qëndrimin kundër regjistrimit të votuesve derë më derë, ndërsa PDSh kërkon regjistrimin me shenja gishti. 
 
Partitë mbeten në qëndrimet e tyre të ngurta dhe për çështjen e votimit të diasporës.
 
VMRO-DPMNE edhe më tej insiston që të mbetet votimi i diasporës, madje të rritet numri i deputetëve nga tre në 20; BDI kërkon heqjen e njësive zgjedhore 7, 8 dhe 9, ndërsa LSDM kërkon respektimin e parimit të barazisë së votës.    
 
SHPËTIM NUREDINI