Të drejtat autoriale, kontrolle mediave, gjobitet kush nuk ka softuer evidentues
Komisionet e Ministrisë së Kulturës prej nesër do të bëjnë kontrolle nëse mediat kanë ose jo të instaluar sistemin e domosdoshëm elektronik...

Komisionet e Ministrisë së Kulturës prej nesër do të bëjnë kontrolle nëse mediat kanë ose jo të instaluar sistemin e domosdoshëm elektronik me të cilin kryhet evidentimi i veprave të realizuara dhe të transmetuara të muzikantëve nga vendi.
Softueri i instaluar mundëson informacione mbi atë cili është autori, kur dhe sa herë është transmetuar kënga dhe në bazë të kësaj do t’i përllogaritet kompensim. Nëse afati i instalimit të softuerit nuk është respektuar, IMM mund t’iu merret licenca e punës.
Televizionet dhe radiot që nuk duan të instalojnë sistem evidentimi do të paguajnë një shumë parash në mënyrë paushalle, të përcaktuar sipas asaj nëse janë kombëtare, rajonale ose lokale.
Bëhet fjalë për 18 paga mesatare të paguara në RM vitin e kaluar, për Ndërmarrjen Publike Radio-difuzive dhe për organizatat radiotelevizive që transmetojnë shërbime në nivel shtetëror dhe 12 paga mesatare mujore të paguara në RM vitin e kaluar, për organizatat radiotelevizive, varësisht nga zona rajonale për të cilën është dhënë leja e transmetimit dhe për ata në nivel lokal dhe rajonal, sqaron ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska-Milevska.
Deri tani pagesën e të drejtave të autorëve për këngët e transmetuara në eter gjatë vitit e ka respektuar vetëm Televizioni Publik, i cili mban llogari të sakta se cilët këngëtarë apo autorë transmetohen gjatë vitit, e të njëjtët mund të marrin kompensimin e merituar nga Shoqata e të Drejtave Autoriale.
Por, autorët e këngëve ankohen se këngët e tyre shfrytëzohen gjatë dasmave dhe ata nuk marrin asnjë para në kompensim, pasi kjo sferë nuk ka hyrë në ndryshimet ligjore.
